DATËLINDJA E DR.FLORIT/ Kujtojmë këngët në bashkëpunim me West Side Family që lanë gjurmë – AlpeGossip
DATËLINDJA E DR.FLORIT/ Kujtojmë këngët në bashkëpunim me West Side Family që lanë gjurmë

DATËLINDJA E DR.FLORIT/ Kujtojmë këngët në bashkëpunim me West Side Family që lanë gjurmë

Dita e sotme mund të jetë një ditë krejt normale për shumë prej jush, por për familjarët, njerëzit e afërt dhe fansat e Dr.Florit është një ditë sa e veçantë aq dhe e trishtë, sepse artisti i ndjerë do duhej të festonte 41-vjetorin e lindjes.

Ndarja e parakohshme nga jeta e tij ka lënë një boshllëk të pazëvendësueshëm në jetën e atyre që e kishin pranë por edhe në muzikën shqiptare, megjithëse ai vazhdon të jetojë nëpërmjet teksteve që ka shkruar dhe këngëve që na kanë shoqëruar në momentet tona më të gëzuara e në ato çaste që nuk kemi gjetur forcat që të vazhdojmë përpara. Për këtë arsye, në datëlindjen e tij, kemi vendosur që  të sjellim për ju 5 këngët me të cilat Dr.Flori dhe grupi West Side Family lanë gjurmë, qoftë dhe në një moment sado të vogël të jetës tonë:

5.Aurela Gace ft Dr.Flori & Marsel- Origjinale

Kënga e parë shqiptare që kapi 1 milionë klikime në Youtube dhe që dëshmoi se kur vinte puna për të bërë hite, Dr.Flori ishte në një kategori tjetër. Vetëm ai mund ta bënte në atë kohë një bashkëpunim të tillë dhe bashkimin e këtyre rrymave, për një këngë që nuk ka munguar në festat që bëheshin mbasditeve dhe që nuk mungon akoma e sot.

 

4.West Side Family-Tirona

Padyshim himni i Tiranës edhe pse fillimsiht u krijua me idenë e një këngë fushate dhe me prezencën e padëgjuar ndonjëherë të një politikani si Edi Rama. Megjithatë me kalimin e viteve duket se është harruar qëllimi dh embetet ende kënga që përshkruan më mirë kryeqytetin shqiptar të periudhës së tranzicionit dhe më thënë të drejtën edhe të së tashmes në disa aspekte. Kujtoni që kjo nuk është e vetmja këngë që artisti i dedikoi Tiranës, sepse ka dhe bashkëpunimin me Ermal Mamaqin “Ku ka si Tirona”, megjithatë e para është ajo që ndoshta e meriton statusin si “këngë ikonë”.

 

3.West Side Family-Nëse mundesh

Një prej këngëve më frymezuese të grupit, me pjesën e repturës hyrëse të Dr.Florit të denjë për një poezi të Migjenit. Bashkangjitur këngës vërtet të fuqishme është dhe performanca në skenën e Knëgës Magjike, që na ka lënë një imazh të veçantë në mendje. Mos harrojmë dhe pjesën e polifonisë popullore të Shqipërisë së jugut, një vlerë e shtuar kulturore në këngë dhe që edhe një herë tregon shumë për krijmtarinë e Florit dhe WSF.

 

2.West Side Family-Mesazhi

Nuk e dimë për ju por ne kur dëgjonim “Për momentin nuk ndodhem në shtëpi, lini mesazhin tuaj pas sinjalit” bëheshim gati për një udhëtim ndjenjash e emocionesh. “Mesazh”-i është ndoshta tema e dashurisë së shumë çifteve dhe të dashururve në vitet 2000’ por jo vetëm, edhe sot vazhdon të dëgjohet, sidomos nga ata që nuk gjejnë fjalët e duhura për t’ja thënë dikujt që i mungon.

 

1.West Side Family- Në krahët e tua do jem

Kjo është pikërisht kënga që ka qenë më afër nesh, në momentet që nuk kemi pasur forcat dhe motivin e duhur për të vazhduar përpara pas një disfate. Kënga ka mesazhin që cdo prind mund t’i thotë fëmijës, ose e kundërta, që çdo njeri mund t’i thotë gjysmës së tij, që dikush mund t’ja përcjellë mikut të ngushtë në një moment nevoje. Një këngë universale frymëzimi që na le shijen e asaj që na mungon nga Dr.Flori si njeri dhe si muzikant.

 

/News31.al