Sot është Dita e Verës dhe si kurrë më parë kjo festë do të kalohet në shtëpi, pa organizimet, grumbullimet, këngët e vallet me të cilat kemi festuar çdo vit.
Le të mos trishtohemi, por të shohim anën pozitive të gjithë çpo kalojmë. Pra sot e gjithë familja do të impenjohet për të përgatitur ëmbëlsirên tradicionale të kësaj feste; ballokumen!
Prandaj po ju tregojmë recetën e ballokumeve tradicionale të Elbasanit.
Përbërsit: 1 kg miell misri, 500 gr gjalpë, 8 kokrra vezë 1 kg sheqer
Në një enë të madhe hedhim sheqerin, nëse është e mundur të përdoret sheqer i imët (por jo sheqer pluhur). Mund të përdorim një enë qelqi ose siç e thamë më sipër ideale është enë prej bakri e pa kallajisur. Në enë më pas hedhim dhe gjalpin e shkrirë por jo shumë të nxehtë. Të dy përbërësit i rrahim fort derisa të na krijohet një shkumë. Procesi rrahjes mund të zgjas rreth gjysmë ore. Sheqeri së bashku me gjalpin duhet të jezohet. Nëse e prekim me dy gishta, duhet të hapet je. Më pas shtojmë vezët një e nga një, duke vazhduar ti rrahim. Kur të hedhim vezën tjetër duhet ta kemi trazuar derisa veza mëparshme të jetë përzier komplet. Pra të kemi parasysh që çdo 3 minuta të hedhim një vezë duke mos e ndaluar rrahjen. Në hapin e fundit, me kujdes hedhim miellin e misrit.
Miellin duhet ta hedhim edhe në këtë rast pjesë pjesë duke e trazuar vazhdimisht. E trazojmë mirë në mënyrë që të mos na krijohen kokrriza. Në qoë se përbërja është shumë e qullët mund ti shtojmë edhe pak më shumë miell. Masën e përgatitur e lemë të qetësohet për 20 minuta. Për ti pjekur ballakumet Elbasanit, në një tavë mund të vendosim letër kuzhine ose ta lyejmë me pak gjalpë dhe spërkatim me miell. Më pas me lugë druri hedhim në tavë brumin pa qënë nevoja ti japim forma. Ballakumet i pjekim në furrë 150°C përreth 40-45 minuta
Ju bëftë mirë dhe gëzuar!