‘Girls, girls, girls’…dhe jo, nuk po flasim për këngën në këtë rast. Janë realizuar studime të shumta lidhur me familjet ku dominojnë vajzat dhe besojeni ose jo, rezultojnë më të lumturat.
Është fillimisht raporti mes motrave ai që sjell frymën e mirëkuptimit në shtëpi, duke bërë kështu që në 73% të rasteve, konfliktet e zakonshme të zgjidhen më shpejt se sa në një familje ku mungojnë vajzat si anëtare të kësaj strukture. Të famshmet shqiptare na kanë treguar se marrëdhënia mes motrash është e pathyeshme, madje disa prej tyre kanë bërë shpesh deklarata lidhur me forcën dhe mbështetjen që nuk iu mungon nga ky ‘krah i djathtë’.
Nga ana tjetër, një rol shumë të rëndësishëm në këtë marrëdhënie merr nëna, e cila ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë tek edukimi dhe orientimi i vajzave. Sipas studimeve, figura e nënës si prezencë në raportin mes motrave sjell formimin e një baze të fortë familjare, duke ruajtur kështu një strukturë të fortë qëi reziston qoftë kohës, ashtu dhe pengesave të ndryshme gjatë rrugëtimit.
Nënat priren t’i kuptojnë vajzat më shumë, duke vënë veten në vendin e tyre, për të sjellë zgjidhjen e menjëhershme të situatave.
Lori Hoxha e ka deklaruar shpesh që për të, Sara është mbështetja më e madhe, sidomos në momentet më të vështira. Nga ana tjetër, si Lori, Sara, ashtu dhe Redia ia kanë dedikuar shpesh fjalët më të ndjera dhe më emocionuese së ëmës, duke sjellë kështu gjithmonë në vëmendje se prezenca e Vjollca Hoxhës në jetën e tyre është ajo çka i ka shtyrë të ecin përpara.
Në një nga puntatat e “Shiko Kush LUAN”, teksa po fliste për familjen dhe mungesën e të atit në jetën e saj, Luana Vjollca deklaroi: “Femrat janë shumë të forta kur bëhen bashkë”. Rritur mes vajzash, Marina dhe Luana nuk lënë rast pa treguar se marrëdhënia mes motrash, me nënën gjithmonë të pranishme në çdo hap, ka qenë një nga ndikuesit kryesorë të arritjeve të tyre.
Dafina Zeqiri po shijon suksesin në karrierë dhe gjithmonë e ka deklaruar se e ëma dhe e motra i mjaftojnë për të ecur përpara. Këngëtarja sigurohet që në çdo sezon pushimesh, festash apo rastesh të veçanta, femrat më të rëndësishme në jetën e saj të jenë gjithmonë aty për ta shoqëruar.
Motrat Istrefi e kanë treguar gjithmonë se janë të pandara. Me nisjen e karrierës së Erës si këngëtare, sëbashku me Norën realizojnë shumë aktivitete artistike të përbashkëta. Natyrisht, në çdo mbledhje mes vajzave, nuk mund të mungojë ajo që i ka shoqëruar përgjatë gjithë rrugëtimit, pikërisht nëna e tyre.
Albërije, Agnesa dhe Anxhelina Hadërgjonaj shihen gjithmonë bashkë. Këngëtarja e ka dëshmuar se vajzat e shoqërojnë çdo herë, në një mënyrë apo në një tjetër. Në evente, udhëtime apo aktivitete të ndryshme, vajzat Hadërgjonaj janë të pandashme: një fakt ky, që e bën Albërijen nënën më me fat.
Adelina, Zanfina dhe Ema Ismajli e kanë përkrahur gjithmonë njëra-tjetrën, duke u përfshirë kështu në listën e motrave të preferuara për publikun. Në 2016-tën, vajzat u përballën me humbjen e nënës së tyre, duke lënë pas hidhërim të thellë për motrat. Edhe një herë, vajzat treguan se të bashkuara, e kaluan edhe këtë sfidë.
Jo më kot thonë: “Kush ka vajza botën ka”!