Fotoja e Bes Kallakut me Erion Isait dhe Olsi Bylykut në studion e “E Diela Shqiptare”, duke biseduar me Ardit Gjebrean dhe Aleksandër Frangajn, bëri bujë të madhe para pak ditësh. Pas kësaj fotoje, nisën menjëherë thashethemet se ndoshta treshen e aktorëve do ta shikonim në emisionin e Gjebreas.
Olsi Bylyku, i njohur nga publiku shqiptar si “Kimikati” ka treguar në një prononcim për intv.al se bashkë me Erionin dhe Besin do të realizojnë emisionin e tyre në spektaklin “E diela shqiptare”, ku do të kenë një minutazh kohor prej 1 ore. Tre aktorët do sjellin skena të ndryshme gazmore, stand up-e, do të imitojnë personazhet e njohur komikë që kanë bërë gjatë gjithë viteve dhe sigurisht nuk do mungojnë të ftuarit e tyre.
Mirëpo ditën e djeshme në media u publikua lajmi se skenaristi Vangjel Kozma ishte larguar nga “Portokallia” dhe ishte transferuar në “Klan”. Por një foto e publikuar nga aktori Florjan Binaj, ngre dyshimet se lajmi mund të mos jetë i vërtetë. Aktori shfaq të gjithë trupën e “Portokallisë” duke njoftuar se kanë nisur puna për sezonin e ri dhe se do të rikthehen në tetor. Mes aktorëve, shihet edhe skenaristi Vangjel Kozma.