Letra prekëse e vajzës transgjinore shqiptare drejtuar prindërve: Mos më braktis, mos më dhuno, mos më detyro të… – AlpeGossip
Letra prekëse e vajzës transgjinore shqiptare drejtuar prindërve: Mos më braktis, mos më dhuno, mos më detyro të…

Letra prekëse e vajzës transgjinore shqiptare drejtuar prindërve: Mos më braktis, mos më dhuno, mos më detyro të…

Lola është një vajzë transgjinore 22-vjeçare. Është një nga aktivistet për të drejtat e personave trans në Shqipëri. Lola ka shkruar një letër drejtuar prindërve të saj dhe të gjithë prindërve të tjerë që kanë fëmijë si ajo. Lola kërkon nga prindërit mbështetje dhe mirëkuptim për atë çfarë ajo është.

Jam si çdo fëmijë tjetër, vetëm se jo në trupin e duhur. Si çdo fëmijë i kësaj bote unë meritoj dashurinë tënde“, shkruan 22 vjeçarja në letrën e saj.

Për më tepër lexoni letrën e plotë:

Unë jam fëmija yt trans. Po po, fëmija yt transgjinor. Jam si çdo fëmijë tjetër, vetëm se jo në trupin e duhur. Si çdo fëmijë i kësaj bote unë meritoj dashurinë tënde.
Unë nuk jam prind dhe nuk mund të flas për ndjenjat që të kapluan kur unë bëra “coming out”, për planet që t’u prishën për të ardhmen time apo brengosjen që nuk do të kem kurrë të ardhmen që t’i kishe menduar.

Por ajo që mund të bëj, është të të tregoj se si ndihem unë në një shoqëri që nuk të njeh për atë që je, nuk të respekton dhe një familje që nuk të pranon.
Ndoshta kjo nuk ishte jeta që ti kishte planifikuar për mua, por unë nuk e zgjodha, thjesht jam kështu dhe jam fëmija yt. Si çdo fëmijë unë dua të të bëj krenar, por po për këtë kam nevojë për ndihmën tënde. Ndonjëherë krenaria jote më çon deri aty sa të jem dikush tjetër – dikush që nuk e dua – sepse shoqëria dhe fisi yt janë më të rëndësishëm se unë.

Prind, unë kam nevojë për mbështetje dhe ndonjëherë pak më shumë se një fëmijë i zakonshëm, edhe unë i zakonshëm jam, por ti dhe bota më bëni të ndihem sikur jam ndryshe dhe ndonjëherë sikur nuk ekzistoj.

Ti je prindi im dhe unë të dua. Ndoshta është e vështirë për ty, edhe për mua është, por më lejo të të bëj të më kuptosh dhe më ndihmo ta kalojmë së bashku këtë eksperiencë.
Mos më braktis, mos më dhuno, mos më detyro të jem dikush që nuk dua të jem, mos më nxirr nga ajo vatër hyjnore ku dashuria të ngroh, të rrit dhe të ushqen. Ajo është e imja ashtu si dhe e vëllezërve dhe motrave të mia. Ndoshta unë nuk jam djali që ti doje, por mund të jem vajza që do të të bëjë krenare.”

Përgatiti AlpeNews.al