LETRA PREKËSE/ ”Ja çfarë ndodhi me mua kur u bëra nënë për herë të parë” – AlpeGossip
LETRA PREKËSE/ ”Ja çfarë ndodhi me mua kur u bëra nënë për herë të parë”

LETRA PREKËSE/ ”Ja çfarë ndodhi me mua kur u bëra nënë për herë të parë”

Nënë për herë të parë: një botë tjetër e mbushur me ndjesi të reja! Asgjë që është provuar më parë, nuk ngjan me mëmësinë dhe askush s’mund ta përshkruajë saktësisht deri në momentin që e përjeton vetë! Sidoqoftë, ka disa të vërteta që vajzat duhet t’i dinë para se të jetojnë ndjesinë më të veçantë në botë!

Paslindja është po aq e vështirë sa lindja e një fëmije

Dhimbjet e lindjes përshkruhen si vuajtja më e padurueshme fizike në jetë, e megjithatë shumica e grave bëjnë kështu sakrificën e parë për fëmijën e tyre, dhe ia dalin. Por edhe periudha e rimarrjes, është një pjesë shumë e vështirë, ndonëse jo të gjithë flasin për të. Hormonet dalin jashtë kontrollit pas lindjes; djersitje gjatë natës, gjoksi që fryhet dhe dhëmb, këputje e shumë ndryshime të tjera…por bashkë me fëmijën lind një dashuri, dhe ajo të ndihmon të kalosh çdo dhimbje.

Shkëputja nga angazhimet për të ndenjur me fëmijën tënd është gjëja më e bukur

Qëndrimi me fëmijën nuk është ‘kohë e lirë’. Pasi bëhesh nënë, befas çdo gjë tjetër që e ke konsideruar të rëndësishme kalon në plan të dytë; puna është një pjesë e ditës, por kthimi në shtëpi është pjesa më e bukur, të cilën çdo grua mezi e pret.

Fëmija i dytë nuk është njësoj si fëmija i parë

…aq më tepër kur lind një vajzë dhe pastaj një djalë. Duhet të bësh shumë kujdes me djalin e prosalindur sepse kur e ndërron, mund të urinojë papritur. Megjithatë, nuk qëndron e gjitha këtu. Çdo fëmijë sjell me vete sfida të reja për ta ushqyer, për ta vënë në gjumë, kur e lan…secili ka karakterin e tij dhe kjo duket që kur është një foshnje.

Nuk mund ta kontrollosh më situatën

Një fëmijë thotë dhe bën atë që ndjen. Harroje se do të mund ta kesh çdo komunikim në kontroll, kur je me të. Por ia vlen ta lësh të thotë atë që do të thotë, dhe të bëjë atë që do të bëjë. Një fëmijë i lirë është vetvetja, dhe ti do e duash ashtu siç është. Le të mërziten të tjerët!

Sepse çuditërisht, gjërat e fëmijës tënd nuk të duken të bezdisshme!

Nuk do të të bezdisin më aromërat, djersa, të vjellat e bebit…Jo vetëm që i duron, por do të jesh e lumtur që je aty për të kur ai nuk ndihet mirë.

Është e vështirë të krijosh besim tek instiktet e tua prej nëne

Fillimisht, sidomos me fëmijën e parë, përpiqesh t’i bësh gjërat ashtu siç t’i thonë sepse ndihesh e pasigurt. Pastaj nis të njohësh veten si një nënë dhe t’i besosh asaj: intuita jote prej nëne del në pah dhe mëson të përballosh më mirë çdo lloj situate.

Nuk mund ta planifikosh dhënien e gjirit

Nëse ke menduar se do të zgjasë deri po themi, 12 muaj, me shumë gjasa do të dalë jashtë parashikimeve. Marrja e gjirit është diçka që ndryshon nga njëri fëmijë tek tjetri, dhe ty do të të vijë keq t’ia heqësh. Sapo ai përlotet dhe të afrohet për të marrë gji siç ka bërë gjithnjë, të vjen keq t’ia mohosh. Nuk është aspak e këndshme të shohësh fëmijën tënd duke qarë.

Ankthi bëhet diçka e përditshme

Po fle? Është mirë? Dua të shkoj në kuzhinë, por si mund ta lë vetëm? Dua ta laj, por kam frikë mos e lëndoj… Dhe mes gjithë kësaj, para specifikave që ka rritja e çdo fëmije, interneti nuk të vjen në ndihmë. Është parimi: provo, mëso. Të gjitha teoritë e mamasë tënde duken të vlefshme, por jo kur shikon se ai ka temperaturë. Dhe sado të duket se ‘këtë herë ia hodhe’, kur vjen sfida tjetër të duket prapë se nuk di asnjë gjë.

Pse, unë kam qenë ajo e fiksuara pas rregullit?!

Nëse ke qenë e fiksuar pas pastërtisë, rregullit, ajo që sistemon çdo detaj më të vogël, do të habitesh si shndërrohesh brenda pak kohe. Ke një njeri të vogël nëpër shtëpi që ecën dhe trazon çdo gjë që ka rrotull. Nëse shkarravit muret të tjerët mund të panikojnë, por jo ti. Sepse tani perfeksioni ka marrë një tjetër kuptim për ty: të shohësh fëmijën tënd të shëndetshëm!

Çdo mëngjes është një çast i mrekullueshëm

Kur ai hap sytë i sapozgjuar nga gjumi, nuk ka asgjë me të cilën do ta shkëmbeje këtë çast. Nëse zgjohesh përpara tij, do të rrish duke e vështruar me ëndje duke pëshpëritur: “Oh Zot, mrekullia ime” dhe me padurim pret që ai të zgjohet. Çdo mëngjes është si një ditë feste; hare dhe dashuri e pakushtëzuar.