Mënyrat më të bukura si nënat VIP kanë zbuluar se janë shtatzëna: Nga Ami deri tek Rudina… (FOTO) – AlpeGossip
Mënyrat më të bukura si nënat VIP kanë zbuluar se janë shtatzëna: Nga Ami deri tek Rudina…  (FOTO)

Mënyrat më të bukura si nënat VIP kanë zbuluar se janë shtatzëna: Nga Ami deri tek Rudina… (FOTO)

Pritja e një fëmijë është një emocion i papërshkrueshëm për çdo nënë! Por ndoshta momenti, që do të mbahet mend gjatë për një femër, është ai kur merr vesh lajmin e shumëpritur: “Do të bëhem mami”.

Më pas nisin mendimet sesi t’ua thuash këtë emocion prindërve, të afërmve apo miqve.

Lajmi për shtatzëninë nga personazhet e njohura shqiptare, veç faktit që ka ruajtur rregullin e 3-mujorit, shpesh është zbuluar pasi thashethemet ishin përhapur.

Disa nga femrat më të njohura të ekranit shqiptar e patën të pamundur ta mbanin të fshehtë gëzimin e jetës së tyre, ka prej tyre që na tregojnë çdo moment të shtatzënisë dhe nga ana tjetër shumë kanë qëndruar larg vëmendjes së publikut.

“Iconstyle.al” kujton momentet nga më të ndryshme sesi personazhet e njohur publikë vendosën, që të thoshin se do të bëheshin prindër.

Amarda Toska

Amarda dhe Ermal Mamaqi u bënë për herë të dytë prindër, pasi mirëpritën vajzën Sia më 12 mars të këtij viti. Lajmin e bukur çifti vendosi ta ndante përmes një fotoje në “Instagram”, më 14 shtator, në të cilën moderatorja mbante në dorë testin e shtatzënisë.

Në foton e publikuar Ermal Mamaqi shkroi: “Një beb rrugës… Do të bëhemi 4”.

Estela Ujka

Lajmin e bukur blogerja Estela e dha përmes një postimi në “Instagram”, ku krah saj qëndronin dhe dy vajzat Lorest dhe Sharmin.

“Ups e bëra sërish! Miq kam kënaqësinë të ndaj me ju lajmin e bukur që familja jonë do shtohet me një pjesëtar të ri. 3-shi i ëmbël i Estelës ka lidhje me këtë lajm. Na pret një rrugëtimi stili ndryshe me barkun e madh dhe unë jam e bindur që ju do më ndiqni me po aq kënaqësi e dashamirësi si e keni bërë deri tani”, shkroi më 28 tetor të vitit të kaluar blogerja.

Ajo u bë nënë për herë të tretë me vajzën Damar Brooklyn më 5 prill.

Emina Cunmulaj

 

Modelja e njohur, Emina Cunmulaj, është në pritjen e fëmijës së saj të dytë dhe këtë lajm na e dha më 1 dhjetor të 2017-s përmes një postimi në “Instagram”. E veshur me një fustan blu të ngushtë pas trupit, që i tregonte paksa barkun e rrumbullakosur Emina shkroi se familja e saj do të bëhet më e madhe. Emina, bashkëshorti i saj, Sam dhe vajza Ellia Faria dukeshin shumë të lumtur duke pritur anëtarin e katërt të familjes.

Prej atij momenti, modelja shqiptare ndan me njekësit e saj çdo moment të shtatzënisë.

Adelina Tahiri

Pas muajsh spekulimesh, më 21 shkurt këngëtarja Adelina Tahiri vendosi t’i tregonte botës se pret fëmijën e saj të parë, një djalë. Ajo postoi në “Instagram” një foto ku shfaqet me disa tullumbace në dorë, ndërsa si mbishkrim shkroi vetëm: “Është djalë”.

 

Xhensila Myrtezaj

Fotoja e tyre që zyrtarizoi pritjen e ëmbël u publikua më 18 mars, ku çifti pozoi në Itali. Besi dhe Xhensila i mbajnë duart në barkun e kësaj të fundit, në të cilën po rritet një vogëlushe. “Kur dy, bëhen tre”, shkroi Xhensila.

Zaimina Vasjari

 

Khloe erdhi në jetë rreth 2 muaj më parë, por nëna e saj Zaimina Vasjari, e mbajti të fshehtë deri në muajin e 6-shtë të shtatzënisë. Në foton e publikuar më 7 tetor, pavarësisht se barku i saj thuajse nuk dukej, këngëtarja shqiptare pohoi thashethemet, se ishte në pritjen e ëmbël.

 

Jorida Tabaku

 

Vetëm në fillim të prillit deputetja e PD-së, vendosi të zyrtarizonte lajmin e pritjes së saj të ëmbël, duke ekspozuar barkun e rrumbullakosur. Tashmë dashurisë 17-vjeçare të saj me bashkëshortin Saimir Sallakun, kurorëzuar prej kohësh në martesë, do t’i shtohet edhe bekimi i madh siç është të pasurit fëmijë. Jorida së shpejti do të bëhet nënë për herë të parë, e dy vajzave binjake. Ndërsa ndodhet në muajin e pestë të shtatzënisë, deputetja e opozitës ka ditur të përdor veshjen për të mbuluar “sekretin” e saj.

 

Aurela Gaçe

Aurela Gaçe pranoi vetë zërat për një shtatzëni të dytë! Këngëtarja shqiptare ka qenë gjithmonë shumë e hapur për publikun, ndërsa ka shpjeguar pse ka mbajtur të fshehtë për tre muaj, se është në pritje të një fëmije të dytë. Përmes një fotografie në rrjetet sociale, këngëtarja 41-vjeçare vendosi ta konfirmonte. Mes të tjerash në postimin e saj shkruante: “Erdhi momenti të ndaj me ju një ndjesi që nuk përshkruhet me fjalë por vetëm përjetohet. Unë e Skerdi jemi në pritje të fëmijës së dytë. Jam vetëm 15 javëshe (3 muaj e 3 javë), e nuk më dukej e udhës të bëja publike diçka kaq delikate përpara se të kalonin ato muaj që mund të quhen edhe të rrezikshëm për një shtatzëni. I uroj vetes vetëm të jemi mire bebi e unë deri në fund”.

Ilva Tare

Ilva Tare është në pritje të ëmbël dhe pas disa muajve do të sjellë në jetë një motër ose një vëlla për Melody-in. Lajmin e ka dhënë vetë gazetarja e njohur, në një foto ku ka dalë me të bijën. Në foton me tri zemra në “Instagram”, Ilva ka treguar se pas saj dhe vogëlushes, është edhe dikush tjetër “i fshehur”. Lajmin e bukur për moderatoren e “Tonight” e konfirmojnë edhe miq të afërt të gazetares, të cilët kanë thënë se muajt e parë kanë kaluar pa shumë shqetësime.

Vesa Luma

 

Këngëtarja Vesa Luma solli në jetën fëmijën e saj të parë me Big Basta-n. Konfirmimi i lajmit të gëzuar u bë në nëntor të 2015-s në një intervistë në emisionin ‘Oktapod’.

Arbana Osmani

Prezantuesja e njohur e “Top Channel”surprizoi publikun kur e ftuan në emisionin e Mustafa Nanos “Jamais Vu” në shtator të 2014-s, ndau me shikuesit lajmin se ishte shtatzënë dhe në pritje për t’u bërë nënë për herë të parë.

“Është fat të bekohesh me një fëmijë. Unë po bekohem me një fëmijë sepse aktualisht jam shtatzënë. E kam menduar shtatzëninë si një periudhë shumë të bukur. Kemi vendosur ta mbajmë jashtë fokusit të punës sime, sepse unë do të shkëputem nga televizioni për ca kohë. Ndoshta një vit, dy vjet, akoma nuk e di. Unë do të tërhiqem sepse e kam vendosur dhe të gjithë drejtuesit janë treguar shumë të mirë me mua pasi më kanë kuptuar. Është një dhuratë që ia bëj vetes sepse unë kam punuar që në moshën 15-vjeçare”, u shpreh ajo.

 

Arbana dhe bashkëshorti i saj Arditi u bënë prindër për herë të parë mëngjesin e 9 marsit të vitit 2015-s, duke mirëpritur në jetë djalin Jon.

Sara Hoxha

Ledion Liço zgjodhi që të ndante lajmin e gëzueshëm se shumë shpejt do të bëhej baba në rrjetin e tij social “Instagram”. Në foton të shkrepur në jaht, Ledioni shfaqej së bashku më partneren e tj, Sara Hoxha duke i puthur asaj barkun e në përshkrim shkruante: “Të lumtur ne të tre”. Ledioni dhe Sara u bënë prindër për herë të parë të një djali të quajtur London Noor më 13 dhjetor të 2016-s.

Nora Istrefi

 

Ndonëse thashethemet për shtatzëninë e këngëtares Nora Istrefi kishin disa javë që kishin nisur të qarkullonin në portale, u desh mbrëmja e 24 nëntorit që Nora të tregonte të vërtetën. Njoftimin këngëtarja e bëri publikisht dhe live në spektaklin “Dance With Me” ku ishte pjesë duke thënë: “Do të them diçka shumë të vërtetë dhe serioze, sepse lajmi që unë do të bëhem nënë është i vërtetë, pres një bebe. Unë nuk dorëzohem, por lajmi që do të bëhem nënë është më i vlefshëm se çdo spektakël apo çmim. Ndaj unë nuk dua të rrezikoj për asgjë”. Pas deklaratës, këngëtarja vendosi të tërhiqet nga gara e kërcimit. Nora Istrefi dhe bashkëshorti Robert Berisha u bënë prindër për herë të parë më 16 maj të 2015-s, duke mirëpritur në jetë vajzën Renne.

Linda Rama

Bashkëshortja e kryeministrit të vendit Edi Rama, Linda u përpoq ta mbante sekret lajmin e shtatzënisë, por nuk ia doli. Do të ishte 17 shkurti data që do të ndizte zërat së çifti kryeministror po bekohej me një fëmijë 3 vite e gjysmë pas martesës. Në një ceremoni të organizuar në nder të festimeve të pavarësisë, Linda Rama pati një moment humbje ndjenjash duke u mbështetur instinktivisht në krahun e bashkëshortit. Lajmi më pas u konfirmua në muajin e katërt nga miq të çiftit. Linda dhe Edi Rama mirëpritën në jetë djalin e tyre Zaho më 25 korrik të 2014-s.

 

Çiljeta Xhilaga

Pavarësisht natyrës së saj të çiltër, Çiljeta zgjodhi që lajmin e shtatzënisë të mos e bënte publik. Do të ishin gazetat që do të shkruanin se këngëtarja ishte në pritje të ëmbël në muajin e katërt. Bukuroshja e njohur e ekranit solli në jetë fëmijën e saj të parë Fernando, nga marrëdhënia me partnerin Tomas me origjinë latino-amerikane më 5 shkurt të vitit 2013, 5 minuta para ditëlindjes së saj.

 

Rudina Magjistari

Pavarësisht se zërat për një shtatzëni të mundshme të prezantueses Rudina Magjistari kishin nisur të qarkullonin, do të ishte vetë ajo që do të publikonte lajmin për fansat e saj. Në një postim në rrjetin social “Facebook” Magjistari shkruante: “Zakonisht lajme të tilla është vështirë t’i mbash për vete, ndaj dua të ndaj me ju këtë moment kaq të mrekullueshëm të jetës sime”. Prezantuesja e dhe partneri i saj, kampioni i kick boksit Xhavit Bajramaj u bënë prindër për herë të parë të vajzës Mia më 30 tetor të 2015-s.

Tuna

Këngëtarja nga Shkupi, Altuna Sejdiu, pavarësisht se zgjodhi ‘të izolohej’ në shtëpi në muajt e parë të shtatzënisë, prapë nuk ja doli ta mbante sekretin. Disa foto të shkrepura në Prishtinë mes këngëtares dhe partnerit të saj, Patris Berisha nisën spekulimet për shtatzëninë e saj. Megjithatë do të ishte pjesëmarrja në “Kënga Magjike” ajo që do e shfaqte Tunën për herë të parë në publik pas lajmit, kësaj herë thjesht për ta konfirmuar. Ka qenë drejtuesi i spektaklit, Ardit Gjebrea, i cili duke iu afruar barkut të Tunës u shpreh: “Po këtu po lëviz diçka, unë e ndjeva. Më gjuajti dhe me shkelm. Sa bukur është të dëgjosh një zemër të bukur tek lëviz aty brenda”. Tuna dhe Patrisi pritet të bëhen prindër të një djali në fillim të muajit maj.

Suada Sherifi

Ish-MissAlbania, Suada Sherifi kishte nisur të tregohej e kujdesshme me fotot që publikonte në rrjetet sociale për të mos shtuar dyshimet e shtatzënisë së parë. Megjithatë në qershor të 2016-s do të ishte media ajo që do të publikonte për herë të parë lajmin e gëzuar. Suada dhe partneri i saj Eldi mirëpritën në jetë vogëlushen Deizi më 15 shtator të 2016-s.

Miriam Cani

Alban Skënderaj dhe Miriam Cani janë padyshim një ndër çiftet më të preferuar të publikut shqiptarë, ndaj dhe një lajm i tillë pritej me padurim nga fansat. Në një mbrëmjet e “X Factor Albania” do të ishte kantautori Alban Skënderaj, i cili do të rrëmbente mikrofonin dhe gjithë vëmendjen për të deklaruar se: “Prej pak kohësh në juri është edhe një pjesëtar tjetër, pasi Miriami dhe unë do të bëhemi prindër”. Kaq ka mjaftuar që komplet salla të shpërthej në ovacione e që urimet për çiftin të merrnin udhë. Kështu ndonëse Miriami nuk e veshi fustanin e bardhë, ajo dhe Albani pas 8 vitesh lidhje u bekuan me ardhjen në jetë të vajzës Amelie më 28 nëntor të 2015-s.