Këngëtarja e njohur Merita Halili vazhdon të mbetet ikona e muzikës popullore shqiptare. Me datë 27 Shtator ajo mbajti në Tiranë koncertin e saj recital ‘Lule T’Bukura Ka Tirona”, për të cilin ka folur ditën e sotme teksa ishte e ftuar në emisionin ‘Soiree’ nga Jonida Shehu.
Merita ishte e ftuar së bashku me të shoqin, Raif Hyseni dhe të dy së bashku kanë ndarë emocionet e koncertit të lartpërmendur. Mes të tjerash, Merita është pyetur dhe për takimin që ka pasur para dy vitesh me këngëtaren shqiptare me famë botërore Dua Lipa.
Para dy vitesh Merita dhe i shoqi i saj kanë qenë të ftuar në emisionin “The Untitled Action Bronson Show”, të reperit Action Bronson në të njëjtën kohë me Dua Lipën. Merita ka treguar se nuk ishte në dijeni se do të ishte dhe ajo dhe që është lumturuar shumë kur e ka mësuar. “Ne nuk e dinim që do të ishte Dua Lipa. Kur e pamë, e cila doli nga dhoma e grimit, kemi thirrur ‘Duaa’ dhe ajo na njohu e na tha ‘tani do të vij tek ju’. Më pas u futëm për të bërë muzikë, aty u shkrimë me muzikën popullore dhe gati dogjëm edhe shaminë”, u shpreh Merita. Artistet kanë kënduar së bashku “Doli goca n’penxhere” dhe kanë ndezur atmosferën me frymë shqiptare.