NGA NOIZY, DAFINA E TAYNA/ ÇMIMET që paguheshin këngëtarët në sezonin veror – AlpeGossip
NGA NOIZY, DAFINA E TAYNA/ ÇMIMET që paguheshin këngëtarët në sezonin veror

NGA NOIZY, DAFINA E TAYNA/ ÇMIMET që paguheshin këngëtarët në sezonin veror

Në klubet e natës, në të gjithë botën, pistat e vallëzimit dikur të mbushura me njerëz kanë mbetur bosh për muaj të tërë. Klubet janë vende që ofrojnë kontakte të afërta: Njerëzit ndajnë pije, përqafohen, puthen dhe në përgjithësi “pushtojnë” hapësirën personale të njëri – tjetrit, deri në orët e para të mëngjesit.

Dhe ndërsa një arratisje e tillë dhe një mundësi për t’u argëtuar u mirëprit këtë vit, pas bllokimeve të zgjatura në mbarë botën, për shkak të pandemisë, situata e sezonit veror që sapo u mbyll, nuk ishte fatlume për jetën e natës.

Disa përpjekje që vitin e shkuar për të rihapur klubet dhe vendet e muzikës “live” ofruan optimizëm për këtë vit, megjithatë menaxherët e klubeve të natës në zona të ndryshme të bregdetit pohojnë për “Monitor” se viti 2021 nuk ishte aspak i ngjashëm me 2019-n.

Industria e argëtimit dhe mikpritjes ishte një nga sektorët e parë që u mbyll nga qeveria një vit më parë. Gjithashtu, është një nga të paktët që me vështirësi është rihapur nga atëherë. Edhe kur baret organizuan një rikthim të pjesshëm verën e kaluar, pothuajse të gjitha klubet e natës mbetën të mbyllura dhe atyre iu është dashur të mbijetojnë. Shumë prej tyre nuk janë rihapur më në kryeqytet. Tendenca që u vu re vitin e shkuar ishte përfshirja e muzikës në ambientet me tarracë ose oborr të restoranteve, si dhe përqendrimi më i madh në bregdet.

Numri i të infektuarve po rritet sërish Europë pasi varianti Delta, shumë infektues, përhapet në mesin e popullatës së pavaksinuar dhe pjesërisht të imunizuar, e cila është kryesisht e re, pasi ata ishin të fundit në radhë për të marrë një vaksinë.

Në të njëjtën kohë, disa vende europiane vendosën të rimëkëmbin ekonomitë e tyre të natës, duke lejuar që baret dhe klubet të rihapen për publikun, pas 16 muajsh mbyllje, gjë që i la shumë njerëz jashtë biznesit. Në Shqipëri, jeta e natës u përqendrua në bregdet dhe u kufizua me orarin e mbylljes 23:00.

Moti ndaj Stuhisë

Disa nga ndryshimet kanë ardhur nga nevoja. Një pjesë e vogël e klubeve mundën të hapin aktivitetin gjatë korrikut dhe gushtit, kur bregdeti i Jugut të Shqipërisë ka qenë më i zhvilluari. Vende si Dhërmiu, Jali dhe Saranda kanë pasur aktivitet të plotë të klubeve të natës gjatë sezonit veror.

Vija bregdetare e Adriatikut, duke nisur nga Velipoja, e duke vijuar me Shëngjinin, Gjiri i Lalëzit, Plazhin dhe Golemin kanë qenë pikat e tjera ku klubet janë hapur e kanë funksionuar. Në komunikime me klube të shumta, ata pohojnë se nga ky vit pretendonin më tepër frekuentim, por ndikimi i Covid në ekonominë e shqiptarëve, ka ndikuar padyshim.

Përfaqësues të “Yacht Club Shëngjin” pohojnë për “Monitor” se situata këtë vit ka qenë e vakët. Përveç klubeve dhe stafit të tyre, muzikantët dhe profesionistët e tjerë të argëtimit janë goditur rëndë nga pandemia. Shumica e muzikantëve punojnë të pavarur dhe shumë pak artistë me kohë të plotë kanë marrë papunësi që barazohet me çdo lloj page të jetueshme gjatë mbylljes.

Pa burime të shumta të ardhurash, disa prej tyre do të kenë probleme financiare para se të rikthehen në skenë dhe do të detyrohen të kërkojnë punë të tjera. Askush nuk është ende i sigurt se si do të ndikojë kjo në argëtimin e drejtpërdrejtë në planin afatgjatë, por pronarët e klubeve kanë gjetur mënyra për të sjellë muzikën live kudo që të munden, përfshirë edhe hotelet, të cilat këtë vit kanë organizuar net të muzikës live.

Burime nga “Hotel Adriatik Durrës” pohuan se netët live kanë qenë të preferuarat e pushuesve këtë vit, shqiptarë, por edhe të huaj. Këngëtarët kanë qenë të gatshëm të performonin në datat që u është kërkuar dhe kjo ka ndihmuar edhe situatën e biznesit të muzikës këtë vit.

Xhani Demika, menaxher i “Orange Club Sarandë”, si dhe menaxher i disa nga artistëve më në zë në vend, pohon për “Monitor” se, këtë vit flitet për përgjysmim të pagesave të këngëtarëve. Sipas tij, situata e pandemisë që ka prekur rëndë sektorin, ka ndikuar te pagesat e artistëve, të cilët kanë ofruar performancat e tyre muzikore për 50% më pak se vitet e mëparshme.

Një tjetër element që ka ndryshuar, sipas z. Demika, është padyshim konsumi. Mesatarja e shpenzimit për një tavolinë në një natë ka qenë 80 mijë lekë, dukshëm më pak se vitet para pandemisë. Megjithatë, frekuentimi nuk ka qenë i ulët dhe netët në klube janë preferuar masivisht nga të rinjtë këtë vit.

Nuk është e vështirë të kuptosh se për të joshur turmën dhe për ta bërë atë që të shpenzojë mjafton t’i ofrosh muzikë ritmike. Nuk ka rëndësi nëse është muzikë e mirëfilltë apo janë thjesht këngë komerciale, mjafton që në skenë të ngjiten këngëtarë të cilët, pavarësisht cilësisë së zërit, të kenë pamje joshëse. Këtë tipar, një pjesë e mirë e këngëtareve shqiptare e plotësojnë

Ermali, menaxher i “Folie Marie Jal”, thotë se, frekuentimi këtë vit u penalizua nga ndërprerja e muzikës në orën 23:00. “Kjo fashë orari sigurisht që ndikoi duke iu shtuar krizës së mëparshme në këtë sektor. I gjithë turizmi u prek nga pandemia, por klubet ishin ndër më të goditurit. Shumë turistë të huaj erdhën në Shqipëri këtë vit dhe ata e duan muzikën, jetën e natës. Mirëpo orari 23:00 na penalizoi, shumica shkonin në Greqi, ku nuk kishte fasha orari. Kemi vënë re edhe tkurrje të shpenzimeve në klube për shkak të pandemisë këtë vit – thotë menaxheri i “Folie Marine”.

Nga biseda me burime të shumta nga klube në bregdet, të cilët nuk duan të citohen, ata pohojnë se, një prej problemeve më të mëdha për industrinë në tërësi është mungesa e qasjes së përshtatshme në fonde për të ndihmuar që klubet të mos mbyllen fare, ndërsa faturat e qirasë vazhdojnë të vijnë.

Duhet pasur parasysh se një pjesë e mirë e klubeve në bregdet janë të lidhura me një ‘mëmë’ në kryeqytet dhe në Tiranë ato kanë qenë të mbyllura. Pas sezonit veror dhe rritjes së numrit të infektimeve nga versioni Delta i koronavirusit, në Tiranë nuk shpresohet një rihapje e klubeve pas shtatorit. Duhet rikujtuar që aktiviteti i klubeve të natës në kryeqytet pas sezonit veror, konsiderohet si burimi kryesor që kishin dikur këngëtarët, krahas albumeve apo projekteve të reja.

Andi Islami, menaxher artistik, pohon për “Monitor” se në kushtet e koronavirusit, këngëtarët janë drejtuar të gjithë drejt online-t, publikimit të këngëve në YouTube apo klipeve, si mënyrë që të mbijetojnë e të mbajnë emrin në krye të klasifikimeve.

Rënia e biznesit të argëtimit gjatë verës, në fakt, nuk është një dukuri vetëm shqiptare, ajo po vihet re në shumë kryeqytete të Europës të cilat janë të famshme për diskot dhe klubet e argëtimit në sezonin veror. Goditjen më të madhe këtë vit e ka marrë Ibiza, Barcelona, Londra etj. Madje këta të fundit po i kthejnë sytë nga tregje si Azia, që ende është e “uritur”, ndërsa po i besojnë gjithnjë e më shumë edhe teknologjisë së “zgjuar”.

Nga Noizy, Tayna, Ledri e Dafina, çmimet që paguheshin

Shifra

50% është ulur konsumi në diskot verore pas pandemisë

50% janë përgjysmuar pagesat e këngëtarëve për natë

Fenomeni

Konkurrenca ka shtuar ofertat ekstreme dhe kjo bën që klienti të mos jetë besnik i një klubi, por të rendë pas këngëtarit të preferuar

Struktura e përgjithshme e të ardhurave e klubeve të natës në bazë të konsumit/

Rreth 30% nga konsumi i birrës

Rreth 40% nga konsumi i pijeve të forta

Rreth 10% nga konsumi i pijeve joalkoolike

Rreth 20% nga konsumi i shampanjës