Pak ditë më parë, Enca nxorri klipin e saj më të ri të quajtur ‘Dua’. Njerëzit u çmendën dhe vunë alarmin se klipi ishte aspak edukativ dhe shumë afër pornografisë, kur në fakt gjithçka pamë ishin disa të puthura si në çdo video që na zë syri në çdo orë të ditës. Ndryshimi i vetëm ishte se kësaj here, ajo që puthte ishte Enca.
Por të ashtuquajturat skenat e nxehta të këngëtares nuk ishin problemi i vetëm që ‘revoltoi’ masën. Tematika e këngës ishte gjithashtu një problem më vete. Për ata që s’e kanë dëgjuar, bëhej fjalë për një trekëndësh dashurie. Ai ishte i martuar dhe përveç barrës së situatës në të cilën ndodhej, ajo vuante gjithashtu mungesën e tij.
Komentet ishin nga më të ndryshmet, por ajo çfarë bën më tepër habi në fakt, është pikërisht ky reagim. Pse duhet të bëjë kaq shumë përshtypje nëse një fabul e tillë është trajtuar shumë vite më parë në muzikën shqiptare? Enca, nuk ishte këngëtarja e parë që i këndonte ‘tjetrës’ dhe lidhjes me një burrë të martuar.
1.Artjola Toska- Unë e jotja më nuk jam!
Para shumë vitesh, këngëtarja Artjola Toska publikoi këtë këngë e cila flet gjithashtu për një histori të ngjashme me atë të ‘Dua’. Se për çfarë flet kënga, kuptohet që në vargjet e para kur ajo i thotë ‘kishe nusen zemërvrarë’. Por e habitshme është se në komentet e YouTube-it, komentuesit vuanin bashkë me këngën dhe historinë e dhimbshme të një vajze të rënë në kurth.
2. Gili- Dashnorja
E njëjta histori ndodhi edhe me këngën e famshme të Gilit në 2005-ën. Por në ndryshim nga të tjerat, ai duhet të vendoste mes të dyjave.
3. Samanta- Ti se din se
Në 2014-ën, Samanta gjithashtu kishte disa fjalë për t’i thënë të dashurës/gruas së tij. ‘Ti se din se’ është një tjetër këngë tematika e të cilës ngjan me atë të Encës. Por nëse Enca s’po gjente paqe në rrethin vicioz në të cilin u përfshi, Samanta po përpiqej t’i hapte sytë vajzës tjetër dhe t’i siguronte se nëse do të ishte në vendin e saj do të vepronte po njësoj.
4. Rosela Gjylbegu- Tjetra
Rosela, konkurroi me këtë këngë në 2008-ën tek Kënga Magjike. Fabula është e qartë që në titull, bëhet fjalë për gjithë ndjesitë dhe paragjykimet e të qenit e dashuruar me një njeri të ndaluar. ‘Tjetra’ në fakt, është një nga këngët më të suksesshme të këngëtares.
5. Anxhela Peristeri- Si po jetoj
Njësoj si koleget, edhe Anxhela i këndoi historisë më të lashtë në botë. E dashuruar me një burrë që ka aktualisht dikë tjetër në jetën e tij dhe vështirësitë që i janë dashur asaj ‘tjetrës’ për të dalë nga ky trekëndësh.
Siç e patë, nuk është asgjë e re që të këndohet një këngë nga këndvështrimi i ‘dashnores’. Është bërë dhe do të bëhet gjithnjë.
Copyright Anabel.al