Duket sikur ka kaluar një jetë, por Meghan dhe Harry e bënë publik vendimin për t’u larguar, vetëm dy muaj më parë, në janar. Ndërsa tani, kanë dalë në dritë detaje të tjera për sa i përket mënyrës si familja mbretërore u përball me këtë lajm të papritur.
Sipas Daily Mail, Harry dhe Meghan ia kanë komunikuar vendimin për t’u larguar Mbretëreshës Elizabeth dhe Princit Charles me anë të një email-i.
“Pak para se ata të ktheheshin në Londër, në fillim të janarit, Harry kontaktoi gjyshen dhe të atin me anë të email-it për t’u thënë se dëshironin të largoheshin”, -është shprehur një burim për Daily Mail. “Ata e kuptonin që Harry dhe Meghan dëshironin diçka ndryshe dhe donin t’i ndihmonin, por kjo gjë ishte paksa e komplikuar. Kishte çështje si siguria, financimi, vizat, taksat etj., për të cilat ata nuk kishin menduar.”
Sipas burimit, Harry mendoi se ata po mundoheshin ta kundërshtonin, prandaj vendosi të “shtypte butonin nuklear”, me pak fjalë ta bënte vendimin publik. Për këtë arsye, e gjithë kjo situatë shkaktoi tension në familjen mbretërore.
Megjithatë, duket se kohët e fundit marrëdhënia mes Harry-t me pjesën tjetër të familjes mbretërore është rregulluar. Sipas një burimi, ai është duke komunikuar shumë shpesh me familjen për shkak të situatës me koronavirusin dhe janë afruar sërish.