PREMIERA E PARË PAS NDARJES NGA JETA TË SË BIJËS/ Çun Lajçi i dedikon fjalët e ndjera Bubulinës – AlpeGossip
PREMIERA E PARË PAS NDARJES NGA JETA TË SË BIJËS/ Çun Lajçi i dedikon fjalët e ndjera Bubulinës

PREMIERA E PARË PAS NDARJES NGA JETA TË SË BIJËS/ Çun Lajçi i dedikon fjalët e ndjera Bubulinës

Bubulina Lajçi, vajza e vetme e aktorit Çun Lajçi u nda nga jeta në vitin 2017 dhe që nga ajo ditë, ai s’ka reshtur së e kujtuari përmes fotove, videove, shkrimeve. Lajçi u tërhoq nga aktrimi deri pak kohë më parë, ku këmbëngulja e Eduart Grishajt bëri që të pranonte një rol në filmin “Gjyshja.” Kjo ishte premiera e parë e Lajçit që nga largimi i Bubulinës nga kjo jetë dhe prandaj ai i dedikoi një letër të cilën mund ta lexoni të plotë më poshtë.

“Po Miraloshe, e pashë nji premierë mbas tri vitesh zie

Që kur vdiqe ti Mirake, vdiqën edhe kënaqësitë e premierave t’filmave t’mi.
U paluen dy e tani po palohet edhe viti i tretë që zvarritem rrugëve me dhimbje eshtnash, pa ma bajtë zemra me shkua me i pa rolet e mia n’filmat që i xhirova n’ato dy vitet kur ti po baheshe gati për udhëtimin e fundit.
Por s’mujta me ia prishë ngazëllimin e gëzimin nji regjisori t’ri, malësor i Malësisë Madhe, njisoj si unë i këtej bjeshkëve t’Nemuna, Eduart Grishës, që ishte rritë me portretin tim e fjalën e Fishtës dalë nga goja ime.
S’baj film pa malësorin Çun, kishte thanë dhe m’kërkoi me shumë kulturë mos me ia refuzua thirrjen. Shkova bashkë me Galën, por jo si dikur me ty Mirake!
Dhe bamë fotografi përpara nji panoje t’madhe ku shkruente “Gjyshja” ku ishin edhe tre emna aktorësh dhe i regjisorit Eduart.
E urova Emën e Ritën, koleget e mia që shkëlqenin n’filmin e parë t’Grishës.
Urova regjisorin e ma uroi edhe ai mua Sokolin.
Mbas premierës së filmit ishim edhe ma t’lumtun, se puna fliste vetë. Kishte ba diçka t’thjeshtë, diçka t’bukur, diçka që s’kërkonte shpjegime e analiza. Nji thjeshtësi arti që kishe dëshirë me pa!
Ishte kthye bukur n’kohën e errët enveriste e bukur i kishte portretizua malësorët e Bogëve ( jo t’Rugovës jo, por t’Malësisë Madhe)
Ishte mrekulli të takoje njerëz që pa s’i kisha me vite. Aktorë filmi e teatri e regjisorë që rrallë flasin me gjuhën e filmit!
Ishin gati të gjithë yjet e kangës e t’ekranit shqiptar.
Por… e kisha pas harrua nji mik t’ri, nji kolegun tim me t’cilin isha mishnua shumë te “Koha e Kometës”, atë çunin e ri Bes Kallakun, që lamë gjurmë t’bardha n’filmin e Koçit.
U përqafuam, u përqeshëm, u shamë, u ngucëm njisoj si para 10 vitesh teksa po xhironim bjeshkëve t’Mavrovës.
Kjo asht grueja ime, m’tha, për Xhensilën, bukuroshen, yllin e ri t’kangës. Kjo asht fansja jote ma e madhja n’shqiptari, m’tha. Kuptohet, falë meje që e kam torturua çdo ditë tue folë për ty, dhe qeshëm!
Nji darkë që s’harrohet ishte ajo natë në restorantin e Bes Kallakut me Galën time e Xhensilën e tij.
Të nesërmen erdhi Edi Grishaj me m’pa a kisha djeh mirë n’hotelin Hilton, dhe shkuem n’studio t’Top-Channelit t’flasim për premierën e filmin “Gjyshja”.
Kur e pyeti gazetarja, pse Çuni n’filmin tand (që lente me kuptua se Tirana ka plot aktorë, Çuna), Edi u përgjigj: Sepse s’ka ma t’besueshëm e ma fisnik për ekranin se Çuni dhe deri sa t’jem gjallë ai do t’jetë n’filmat e mi!
Unë qesha e thashë: Ishalla s’jetoj gjatë pra, se paske me sharrua me filma!
Po Miraloshe, e pashë nji premierë mbas tri vitesh zie!”