“RRISNI FËMIJËT DHE…”/ Robert Berisha sapo dha një mesazh skandaloz për gratë! – AlpeGossip
“RRISNI FËMIJËT DHE…”/ Robert Berisha sapo dha një mesazh skandaloz për gratë!

“RRISNI FËMIJËT DHE…”/ Robert Berisha sapo dha një mesazh skandaloz për gratë!

Robert Berisha, gjatë një interviste për “Prive” bëri deklaratën më të shëmtuar që mund të dëgjonim në ekran sot, në 2020-ën. Në këto kohë, kur bota përpiqet që përmes veprave të saj t’i japë një zë gruas, të kontribuojë në barazinë gjinore dhe në heqjen e etiketimit si “qenie e brishtë”, vjen Roberti dhe jep këshilla maskiliste të tmerrshme.

Teksa fliste për këngën e tij “Dashnorja” dhe keqkuptimet që shkaktoi titulli, Roberti u kujdes të ndalej tek gratë se sipas tij “ato ishin më të nxehurat me këngëtarin”.

“Unë për vete, dashnore s’kam.[min 4:42] Ata që kanë dashnore dhe kanë gra…se në këtë rast gratë mund të më marrin inat.”- tha fillimisht ai dhe pastaj ndonëse askush s’i kërkoi një mendim këshilloi gratë “të ruanin burrat”.

“Ruani burrat, rrijini gati, të mos shkojë puna sa të marrin dashnore. Unë mendoj që një mashkull i suksesshëm që e sheh gruan mirë, që i ka të gjithë të mirat gruaja dhe fëmijët gjithashtu, çfarë ka ndonjë problem që paska dashnore?”

Fillimisht, Roberti dhe gjithë të tjerët që mendojnë si ai duhet të dinë se gratë nuk janë barinj që ruajnë delet për të mos i dalë nga kopeja. Askush s’ka për detyrë të ruajë askënd! Sipas Berishës, nëse një burrë është në rregull me gruan dhe fëmijët dhe ia plotëson të gjitha atyre mund të ketë një romancë jashtë martese.

Tradhtitë bashkëshortore kanë ekzistuar që prej krijimit të njeriut dhe do të ekzistojnë gjithnjë, por mënyra se si trajtohen është e ulët. Kush i tha Robertit që një grua që vendos të martohet me burrin që dashuron mjaftohet vetëm me atë çfarë ai sjell në shtëpi dhe “korrektësinë” e shtirur të një burri që nga ana tjetër është i pabesë?! Të tilla probleme në çift janë shumë delikate dhe nuk ka receta të përcaktuara, aq më tepër, vend për të tilla mesazhe. Gjithsesi, prisni të dëgjoni se ka edhe më.

“Hiç, sa më pak fjalë- thotë Roberti. Rrisni fëmijët, shkoni me pushime, hani, pini, rrijini gati dhe ndoshta ai nuk e rrit numrin e dashnoreve. Sa më shumë gabime bëni tek shtëpia, rritet numri i dashnoreve. O ja zvogëloni numrin, o ja hiqni fare. Të gjitha, varen prej jush. Ky ishte mesazhi im për gratë.”

Pra, “nëse ju s’bëni gabime, burrat nuk do t’ju tradhtojnë”. Një tjetër fjali e tmerrshme! Në atë çfarë tha, Roberti e trajton gruan si një punonjëse shtëpie, që duhet vetëm t’i qeshë burrit, të rrisë fëmijët, të shijojë atë çfarë ai i jep dhe të lutet në mbrëmje që i shoqi të mos shohë asnjë tjetër. Ose të paktën, të mos shohë shumë të tjera. Në asnjë gërmë, nuk e trajtoi personin që këta burra  zgjedhin, si partneren e jetes, si gruan që e respekton dhe si nënë e fëmijëve të tij, që nesër në dashtë Zoti do bëhen qytetarë të integruar. Për Robertin, një grua e mirë, mbyll sytë, nuk dëgjon dhe nuk flet.

Të tilla deklarata na kthejnë aty ku ishim dhe na bëjnë të kuptojmë se sa punë duhet ende që një koncept si ky (që s’e ka vetëm Robert Berisha) të ndryshojë. Si hap të parë, të tilla deklarata denigruese, s’duhen lejuar fare të transmetohen.