STRESI NË PUNË/ Cilët janë pasojat e tij dhe ja si duhet të kujdeseni – AlpeGossip
STRESI NË PUNË/ Cilët janë pasojat e tij dhe ja si duhet të kujdeseni

STRESI NË PUNË/ Cilët janë pasojat e tij dhe ja si duhet të kujdeseni

Stresi në punë është një problem i përmasave të mëdha. Ai është i pranishëm jo vetëm në vendin tonë, por në të gjithë botën dhe prek si punonjësit, ashtu edhe vetë punëdhënësit. Në disa raste, shkak mund të jenë standardet e larta në pozicione të caktuara pune, por dhe paaftësia individuale për të punuar nën presion, orët e zgjatura të punës si dhe shumë probleme të tjera që lidhen kryesisht me natyrën individuale të gjithsecilit dhe aftësitë për t’u përshtatur në profile të veçanta pune, të cilat nxisin ngarkesa të rënda emocionale, e për pasojë një stres të zgjatur dhe me pasoja për çdo individ.

Pra, ka një shumëllojshmëri faktorësh që kontribuojnë dhe krijojnë një presion të vazhduar mbi punonjësit, duke çuar në shfaqjen e stresit. Në praktikën klinike, jo rrallëherë na takon të shohim individë ekstremisht të dëshpëruar dhe të demoralizuar për të ardhmen e tyre dhe të familjes, të cilët shprehen se e kanë të pamundur të kontrollojnë jetën e tyre dhe të paaftë të marrin vendime, në një ambient mbytës pune. Në vendin tonë, kultura e punës dhe stilet e komunikimit lënë shumë për të dëshiruar.

Ndërkohë, një element tjetër shumë i rëndësishëm dhe i lënë pas dore është kultura e përshkrimit të qartë të detyrave dhe përgjegjësive. Stresi i vazhdueshëm në punë, pavarësisht nga shkaku, redukton dukshëm energjinë dhe rendimentin në kryerjen e detyrave individuale. Më i rëndësishëm se kaq është fakti se kjo gjendje ul dukshëm gjithashtu edhe rezistencën e organizmit ndaj sëmundjeve të ndryshme. Sipas statistikave shkencore, stresi në punë favorizon manifestimet klinike të sëmundjeve koronare kardiovaskulare, duke vepruar si një faktor i lartë rreziku për to. Një stres i zgjatur i punës me kalimin e kohës shndërrohet në një gjendje konsumimi fizik e mendor (që në literaturë quhet “Burnout”), i cili është me pasoja shumë të rënda për individët. Në vendin tonë, veçanërisht stresi dhe konsumimi, janë të një niveli të lartë edhe për shkaqe tipike shqiptare.

Njerëzit gjithnjë e më tepër po e sin entuziazmin e tyre dhe po shfaqin tendencën e një qëndrimi negativ ndaj punës në përgjithësi. Ky fenomen ndodh edhe për shkak të fenomenit të “drejtuesve militantë”, që, fatkeqësisht, në më të shumtat e rasteve janë joprofesionalë, jo rrallë me një kulturë të munguar jo vetëm profesionale, por dhe atë të përgjithshme si dhe stile shumë rigide të komunikimit profesional, drejtues të patrajnuar dhe në më të shumtën e rasteve prepotentë dhe cinikë e me komplekse tipike inferioriteti.

Ky stres që gjenerohet vazhdimisht, përveç rënies së dukshme të produktivitetit, shkakton edhe një ndjesi të përgjithshme të pesimizmit e mungesës së shpresës për ndryshime pozitive, që çon pa kuptuar herët a vonë në instalimin e çrregullimeve të ankthit apo të një episodi depresiv, pasojat shkatërruese të të cilave njihen nga kushdo.

Njerëzit, për të cilët puna dhe drejtuesit prepotentë dhe të paaftë iu është shndërruar në një burim të vazhdueshëm ankthi, fillimisht si pa kuptuar fillojnë të zgjasin “kohën e kafesë”, duke e shtyrë për më vonë punën e ditës, mund të ndihen të mërzitur apo anciozë, bëhen nervozë, manifestojnë shenja trupore të ankthit, të cilat patjetër që kanë një ndikim shumë negativ në jetën familjare dhe personale dhe shoqërohen gjithnjë me një ndjesi të lodhjes kronike.

Të tjerë persona, pavarësisht nga përvoja dhe aftësitë e tyre shumë të mira profesionale, arrijnë deri aty sa që mund të dyshojnë seriozisht në aftësitë e tyre të spikatura, duke u shndërruar në “robotë”, që mezi presin të mbyllin ditën e punës për t’u tërhequr në vetminë e tyre.

Mungesa e vazhdueshme e motivimit fillon të shoqërohet gjithnjë e më tej me orët e zgjatura të punës për të kompensuar kohën e kafes dhe me rënien e rendimentit edhe si pasojë e mungesës së dukshme të përqendrimit. Këto gjendje shoqërohen shpeshherë me simptoma trupore si dhimbje koke, dhimbje qafe, rëndim prapa kokës, luhatje emocionale, rishfaqje e beftë e ankthit, shtrëngime në zemër, rrahje të shpejta të zemrës, probleme me frymëmarrjen etj..

ÇFARË DUHET BËRË?

Së pari: Përpiquni të ndërgjegjësoheni sadopak mbi realitetin, në të cilin jetoni. Sqarojini vetes tuaj gjërat që nuk mund të ndryshoni dhe gjërat që janë në dorën tuaj për t’i ndryshuar. Tingëllon pak si e përgjithshme dhe e pakuptimtë, por jo, kjo duhet bërë në kohën e duhur sa pa u rënduar dhe më tej situata.

Së dyti: Bisedoni me eprorët apo drejtorin tuaj, sidomos nëse vërtet jeni të mbingarkuar me punë. Ndonjëherë pamundësia për të thënë jo, ju shndërron si pakuptuar në një “kalë pune”, duke bërë edhe punën e të tjerëve. Kjo ka rëndësi, veçanërisht kur dihet se në Shqipëri shumë pozicione drejtuese pune i kanë “ufot militantë” dhe jo profesionistët e vërtetë”.

Së treti: Nëse e keni të nevojshme, merrni disa ditë pushim nga ditëpushimet tuaja vjetore. Kështu do të rimerrni energjinë dhe të riktheni motivimin. Këto janë disa këshilla të thjeshta, por shumë efektive, që do t’jua rekomandonte çdo specialist si fillim.