Xhevahir Zeneli tregon PRAPASKENAT e realizimit të filmave shqiptarë: Kur xhirohen... - AlpeGossip
Xhevahir Zeneli tregon PRAPASKENAT e realizimit të filmave shqiptarë: Kur xhirohen…

Xhevahir Zeneli tregon PRAPASKENAT e realizimit të filmave shqiptarë: Kur xhirohen…

Ai është ndër aktorët shqiptarë më të njohur dhe humorin duket se e ka të lindur. Xhevahir Zeneli për më shumë se 30 vite ka ditur të vijë pranë publikut me rolet e tij.

Aktori ishte sot i ftuar në studion e “Rudina”, në Tv Klan nga ku rrëfeu rrugëtimin e tij si artist. Gjatë emisionit Zeneli po ashtu zbuloi edhe pjesë nga prapaskenat e realizimit të filmave vite më parë.

“Kur kemi xhiruar filmin “Kur hapen dyert e jetës”, kemi bërë xhirime një muaj në Dimër, në dëborë dhe një muaj në Pranverë. Ashtu siç ishim veshur ashtu edhe flinim, ishte shumë ftohtë. Paguanim dikë që na mbante sobat ndezur. Kishte bukurinë e vet edhe ajo. Mblidheshim në mbrëmje me njëri-tjetrin jashtë xhirimit”, tha aktori.

Lidhur me filmin “Rrethimi i vogël”, Zeneli tregoi se nuk ishte vënë në dijeni të skenës ku qëllohej me shuplakë nga aktori Kadri Roshi.

“Ata ishin futur në zyrën e kryetarit dhe po bënin skenën. Unë nuk dija gjë fare, isha i pambrojtur dhe i papërgatitur për shuplakën. Nuk më kishin treguar. Kur ai hapi krahun mua m’u errën sytë dhe kur tha regjisori shumë bukur doli, aty e kuptova. Kur mbaroi më mori profesor Kadriu dhe më përqafoi. “Mirë do ishte të më kishe treguar profesor”, i thash dhe ai ma ktheu: “Po të të tregoja nuk do dilte njëlloj skena”.

Dhe vërtetë ashtu ishte, ne bëmë edhe 4 dubla të tjera dhe mbajtëm të parën sepse unë reagoja, vija dorën në faqe instinktivisht për t’u mbrojtur”, tregoi Zeneli.