Ajo është një tifoze e hershme e Italisë, por që artikuloi Francën si fituese të Kampionatit Botëror të Futbollit këtë verë. Për Hygerta Sakon, gazetaren dhe moderatoren e programit të saj sportiv “Magjia 21” në RTSH, edhe vetë jeta duhet marrë me sportivitet. Miss-i i ’95-s, ka treguar në një intervistë për pushimet e saj në Turqi.
“Isha me mikeshën time Erjona Sulejmanin dhe fëmijët tanë. Gjatë Botërorit krijuam një miqësi shumë të bukur, por edhe pushimet na rezultuan të tilla. Ishim në një resort vërtet fantastik, ku kemi kaluar ditë vërtet të mrekullueshme dhe mbi të gjitha fëmijët u kënaqën, sepse për dy nëna kjo është më e rëndësishmja. Përsa i përket argëtimit, kemi shijuar gjithçka na ofronte resorti sepse pushimet familjare nuk të lënë vend për lëvizje të mëdha”, thotë moderatorja.
Sa i përket fizikut në super formë ajo thotë:
“Nuk ka qenë e lehtë. Fiziku im merr shpejt peshë dhe unë kam vuajtur gjithmonë nga kjo gjë, duke qenë se e shijoj shumë ushqimin. Vendosa të mendoj pak më shumë për linjat, sepse me kalimin e moshës është më e vështirë të biesh në peshë. Kam një vit që pak nga pak me durim ushqehem me kujdes e me ushqime të shëndetshme, që i bëjnë mirë organizmit tim. Ecja në këmbë nga Liqeni më ka ndihmuar shumë. Dhe jam shumë e kënaqur që pas një viti jam 10 kg më pak. Nuk ka gjë që nuk arrihet me vullnet. Dhe nuk kam ndërmend të toleroj më. Nga shtatori do të filloj dhe aktivitetin fizik seriozisht për ta skalitur akoma më shumë trupin e për të qenë gjithmonë në super formë”, shprehet Sako.