Aty nga tetori, Capital T akuzoi fillimisht Drake-un dhe më pas Tyga-n se i kopjuan koncertin, ndërkohë që sot ironia e fatit e do që Capital të kopjojë vetë. Kënga e tij e fundit “Akull” ka të gjitha gjasat të kthehet në hit, por problemi qëndron se një pjesë e saj është e kopjuar.
“Pjesa indiane është marrë nga një film indian. Shpresoj që ta shënojë këtë,” shkruan dikush në YouTube. “Kur pushon së bëri vetë muzikë dhe fillon e përdor muzikën e filmave indianë,” lexohet diku tjetër. “Kënga e ‘Ek Villain’ e miksuar me këtë të Capital T?” është një tjetër koment.
Siç mund ta shihni në krahasimin në vijim, kënga “Galliyan” është kolona zanore e filmit të famshëm të Bollywood-it “Ek Villain”.
Sigurisht që mund të kemi të bëjmë me rimarrje (që është e lejueshme), por në mbishkrimin e videos së reperit nuk shkruhet kurrkund se ku është marrë origjinali, çka rrjedhimisht të bën të mendosh që është kopje.
Të njëjtën këngë ka përdorur më parë edhe këngëtari shqiptar Lannex, por siç mund ta shihni, në video shkruhet se kënga është e licensuar nga T-Series, që gëzon të drejtën e këngës “Galliyan”, ndryshe nga rasti i Capital T ku shkruhet se muzika është realizuar nga BO Beatz dhe Cano Milano, regjistrimi nga Rzon Music dhe miksimi nga Lorenc Aliaj. Pra, në asnjë moment nuk përmenden realizuesit e këngës së njohur në gjuhën hindishte.
*Marrë nga Anabel.al