ÇFARË ËSHTË DUKE NDODHUR MES ENEDËS DHE FIFIT? Prishet raporti midis këngëtareve? – AlpeGossip
ÇFARË ËSHTË DUKE NDODHUR MES ENEDËS DHE FIFIT? Prishet raporti midis këngëtareve?

ÇFARË ËSHTË DUKE NDODHUR MES ENEDËS DHE FIFIT? Prishet raporti midis këngëtareve?

Eneda Tarifa dhe Fifi, dy pretendentet kryesore për çmimin e parë në “Këngën Magjike”, festival ku fituese u shpall Eneda, edhe pse publiku qe më shumë për Fifin, nuk ndiqen më në Instagram. Pa dashur të aludojmë më shumë seç duhet, vlen të thuhet se një gjë e tillë ngjall dyshim në lidhje me prishjen e raportit të tyre, fill pas përfundimit të “Këngës Magjike”.

Fifi dhe Eneda, përpos faktit që kanë miq të përbashkët, mes tyre kantautorin Flori Mumajesi, kanë bashkëpunuar më parë. Kënga “Nuk ia vlen” e Tarifës mban tekstin e Fifit, projekt për të cilin këngëtarja e falenderoi edhe në finalen e “Këngës Magjike”. Pra, logjikisht është e pamundur që mes 1014 njerëzve që Eneda ndjek në Instagram, të mos ketë qenë Fifi dhe anasjelltas, mes 980 njerëzve që ndjek Fifi, të mos ketë qenë më parë Eneda.

Shtojmë edhe faktin që këngëtaret vlerësuan njëra-tjetrën me 30 pikë ndërsa dje (e diel, 8 dhjetor) te “E diela shqiptare” nuk patën ndofarë përplasje, ndonëse në fund u vu re një debat pasivo-agresiv mes tyre.

Pak para se Eneda të performonte baladën “Ma zgjat dorën” në emision, Fifi kërkoi fjalën për të shprehur edhe diçka të fundit. Komunikimi mes tyre vijon kështu:

Fifi: “Dua të flas edhe një fjalë para se të këndojë Eneda këngën, që unë e dua dhe e kam dashur më shumë prej të gjitha këngëve të festivalit. Unë mendoj se ne si artistë, edhe festivali ‘Kënga Magjike’ vet është një festival që bëhet për publikun. Ne si artistë, kur i prodhojmë këngët, i prodhojmë për publikun. Mendoj që nesër, në fund të ditës, unë dua të ha bukë prej asaj këngës. Unë dua të kem koncerte. Të gjithë duhet të ketë këtë synim; të kemi koncerte, të kemi një reagim.”

Eneda Tarifa: “Tani, të themi të drejtën, se kemi edhe Rovena Dilon këtu, o ha bukë Rovena Dilo me këngën që ka sjellë në ‘Këngën Magjike’, o nuk hamë unë dhe ti [që kemi] këngë me të qara, me të vuajtura. Këngët balada prekin njerëzit dhe Fifi ka prekur, të gjithë ata që kanë pasur balada, edhe unë kam prekur, prandaj jam sot këtu.

Fifi: “Unë mendoj se muzika e mirë, qoftë baladë, qoftë rep, qoftë rrok, qoftë pop, qoftë…Mua personalisht edhe baladat më janë dëgjuar në club. Fjalia e fundit që dua të them është sa më shumë dashuri, sa më shumë respekt dhe sa më shumë sinqeritet.”

Me fjalë të tjera, Fifi tha që me rëndësi është çfarë mendon publiku dhe si pritet kënga nga publiku. “Marova” ishte më e votuara nga publiku, ndonëse nuk ia doli të përmbyste rezultatin e pikëve të grumbulluara nga votimi i artistëve për njëri-tjetrin dhe jurisë. Fakti që ajo përmendi publikun – i cili për hir të së vërtetës zbehu fitoren e Enedës në finale duke brohoritur emrin e Fifit – është e dyshimtë. Përpos kësaj, në Instagram ndër të tjera shkroi: “Unë vetëm kaq mund të them…Publiku im, faleminderit! Përulem para jush.”