Dy rolet kryesore në “Njerëz dhe Fate” qenkan ndërtuar mbi një histori të vërtetë – AlpeGossip
Dy rolet kryesore në “Njerëz dhe Fate” qenkan ndërtuar mbi një histori të vërtetë

Dy rolet kryesore në “Njerëz dhe Fate” qenkan ndërtuar mbi një histori të vërtetë

Të gjithë me siguri keni parë të paktën një episod të telenovelës së parë shqiptare “Njerëz dhe Fate”.
Aq e famshme dhe e dashur për publikun në atë periudhë, por edhe tani kur shumë nga ne duan të shohin si vazhdojnë ngjarjet. Një detaj shumë të bukur për realizimin e këtij projekti na e ka treguar Egla Ceno, regjisorja dhe aktorja e njohur, e cila për ‘Gazetën Intervista’ ka treguar që personazhi i babit që ju besua Robert Ndrenikës dhe i Erës nga Eni Jani, janë projektuar nga ajo, bazuar në histori personale.

“Kur isha studente në Akademinë e Arteve, viti i fundit, bëja 3 punë njëkohësisht nëpër televizione si regjisore dhe asistent regjisore, rastësisht u gjenda në mes të një… ngjarje le të themi sepse për artin tonë ishte ngjarje… po realizohej telenovela e parë shqiptare që më vonë publiku e njohu me emrin “Njerëz dhe fate”. Mu propozua por nuk kishte akoma një ide si do ishte. Mora laps e letër dhe nisa ta shkruaj. U nisa nga historia ime personale. Krijova të parin personazhin e babit tim i cili ka qenë kinooperator dhe vdiq në moshën 48 vjeçare kur unë isha ende adoleshente. Isha shumë e lidhur me të dhe doja që në një farë mënyre ai të vazhdonte të jetonte…

Krijova “babin” dhe vajzën, që në telenovelë u quajt Era. Doja në një farë mënyre të materializoja marrëdhënien me tim atë. Ngjarjet më larguan nga Tirana drejt Gjermanisë për studime dhe e braktisa atë projekt. U lumturova shumë kur mora vesh që personazhi i babit tim kishte ngelur dhe akoma më shumë që rolin e luante Robert Ndrenika. Gjithashtu edhe për Erën. Eni është një mike e veçantë për mua edhe sot e kësaj dite dhe nuk mund të kishte pasur zgjedhje më të mirë për rolin e vajzës që kisha skicuar për vete. Sigurisht që do kisha dashur ta kisha çuar deri në fund, por nuk ishte e thënë”,-ka zbuluar Egla.