U duk në fakt se ky do të ishte viti i tij. Që në publikimin e parë kënga “Plas” arriti rekord kërkimesh, ndërsa kantautori ishte shumë aktiv në mediat rozë dhe ç’do ditë kishte lajme për të.
Flori Mumajesi shkëlqeu ne festivalin “Kënga Magjike” jo vetëm me këtë krijim, por dhe me materiale të tjera të krijuara për kolegët. Ishte ndër pretendentet kryesore për të fituar festivalin dhe me sa duket zërat rezultuan të sakte. Kolegët e votuan maksimalisht duke i dhuruar një çmim që dhe atij vete i dha shume emocion.
Në studion e Opinio, Flori rrëfeu ku qëndron për sa i përket muzikës dhe mbështetjes së kësaj industrie nga organizmat shtetërorë. Ai, porsi ne, mendon se Shqipëria nuk është e përgatitur të organizojë tre netë Eurovision dhe sado këngë të mira të dërgojmë, s’mund ta sjellim në shtëpi çmimin.
Me më shumë se 20 vite karrierë, ai gjeti mënyrën më elegante për të thënë se fiton goxha. “Unë kam nisur nga pasioni dhe për disa vite pyesja veten ‘ç’po bëj.’ Disa miq të mitë, njerëz më të mençur se unë, më thanë që ‘nëse punon bukur, prit, vjen vlerësimi i publikut i cili përkthehet në vlerë ekonomike,’” tha Flori. Le të themi që publiku e vlerëson shumë.
Kantautori dhe producenti mendon se s’është më dhe aq i famshëm dhe fajin ua la celularëve dhe rrjeteve sociale. “Nuk ka më famë. Ka dashamirësi mendoj. Është shumë bukur kur takon njerëz e të komplimentojnë. Fama e dikurshme, se unë e kam kapur dhe atë me grupin The Dreams, kur s’kishte smartphone, ka qenë shumë herë më e bukur. Dilje nga shtëpia dhe takoje njerëz që të thoshin i kam vënë fëmijës emrin tënd. Ajo famë s’ekziston më,” tha ai. “Tani janë më të famshëm ata që s’prodhojnë asgjë, se ata që prodhojnë diçka.”