Çifti Emily Blunt dhe John Krasinski punuan së bashku për të sjellë në jetë filmin A Quiet Place. Vendosur në një të ardhme të afërt ku toka sundohet nga krijesa me dëgjim shumë të ndjeshëm, familja me katër persona duhet të jetojë në heshtje totale që të mbijetojë. Mbijetesa varet e gjitha nga heshtja.
Vetëm se diçka nuk shkon si duhet. Shihni trailerin për të krijuar një ide si fillim.
Një prej fëmijëve të familjes, po ashtu edhe aktori që e luan në jetën reale, ka probleme me dëgjimin dhe si rrjedhim të katër kanë prioritet ndaj përbindëshave insektoidë, pasi mund të komunikojnë me gjuhën e shenjave.
Veçantia e këtij filmi qëndron e gjitha tek metoda e rrëfimit. Duke qenë se personazhet janë të heshtur, edhe publiku është i heshtur. Çdo tingull, çdo zhurmë sado e vogël mund të jetë vdekjeprurëse dhe pikërisht kjo të tremb. Një frymëmarrje e thellë, një e kërrcitur parketi, një gotë që vihet me forcë në tavolinë, të gjitha shtojnë një gram ankth tek shikuesi.
Heshtja dhe mbijetesa e arritur me kaq mund do të godasë fundin shumë shpejt. Asgjë s’është si duket.
Fundjavën e parë të premierës, A Quiet Place arriti 50 milion dollarë fitime, përshtypje shumë të mira nga kritikët dhe nga audienca.