Interneti, të paktën versioni më i prekshëm, është kthyer në një shpatull të ngrohtë elektronike, por që e bën punën njësoj. Çdo ditë, me qindra njerëz na shkruajnë për një mendim të dytë a të dyzetë. Në ndihmë të atyre që kanë nevojë për përvojën kolektive të qindra mijëra lexuesve të Anabel, menduam t’i postojmë letrat tuaja në formën e artikujve. Në këtë mënyrë, edhe ju i gjeni më lehtë kur të gjendeni në të njëjtën vështirësi ndonjë ditë.
“Para katër vitesh u njoha me një djalë. E doja aq shumë sa nuk di ç’të them. Por, ai ishte vetëm një mashtrues që më shkatërroi jetën.
Unë vij nga një familje me mentalitet të kohës së mëparshme. Për ta, nderi i një vajze është gjithçka. Me nder, duan të thonë virgjëria.
Virgjërinë time unë ia dhash një idioti. Nuk pendohem për çfarë kalova se në fund të fundit, atëherë nuk e dija ç’do të ndodhte në të ardhmen. Papritur, mora vesh që ai u fejua në të njëjtën kohë që ishte i lidhur me mua. Kishte pasur një lidhje paralele.
Pak më vrisnin gënjeshtrat dhe mashtrimet e tij, pak dashuria që i dhashë e s’e meritoi kurrë. Më shumë më lëndonte fakti që kisha zhgënjyer familjen time, kur ata kishin aq shumë besim te unë.
Ndihem e turpëruar sa herë i shoh në sy dhe mendoj sa kam gabuar. Jam munduar të vazhdoj përpara, por nuk harroj dot gjithçka që ndodhi.
Më e keqja është se ai më kërkon përsëri, edhe pse është i fejuar me një tjetër. E shoh çdo ditë ish të dashurin tim sepse e tillë është situata. Kuptoj që pavarësisht gjithçkaje, vazhdoj ta dua. Ishte i pari në jetën time dhe do të mbetet i fundit. Kam shumë frikë se mos gaboj përsëri.
Ç’të bëj që ta largoj përfundimisht nga jeta ime edhe pse një mendje më thotë ta ndaj nga ajo tjetra sepse ai meriton t’i bësh çdo të keqe. Ashtu si më lëndoi ai mua, ta lëndoj dhe unë atë…”