Sot mbushen 10 vite nga ndarja tragjike nga jeta e themeluesit të Top Medias dhe njeriut që revolucionarizoi median në Shqipëri.
Familja, të afërm, bashkëpunëtorë dhe miq të shumtë do ta kujtojnë përherë Tanin e Topit, njeriun që me aftësitë e kurajën e pabesueshme arriti që, pothuaj nga hiçi, të ngrinte veç të tjerave një perandori mediatike.
Sot, më shumë se kujtdo, Tani i Topit i mungon familjes, bashkëshortes dhe Presidentes së Top Medias, Vjollca Hoxha, si dhe fëmijëve të tij, Lori, Sara, Redia dhe Itan.
Por, e sigurtë është se ai do të qëndrojë mes nesh, për arsyen e thjeshtë se kemi shumë çfarë të kujtojmë prej tij, secili prej nesh dhe të gjithë bashkë, në planin personal dhe atë profesional. Sot, Dritan Hoxha është i gjallë, është mes nesh, pasi ne kemi para syve, të prekshme, veprën e tij.
Themeluesi i Top Medias, Dritan Hoxha humbi jetën më 23 maj të vitit 2008, në një aksident automobilistik