Dje ishte një ditë sa e lumtur, aq edhe e trishtë por mbi të gjitha një ditë e suksesshme. Gra dhe vajza të Shqipërisë ngritën zërin, secila në mënyrën e tyre. Disa zgjodhën shkrimet në rrjetet sociale, disa u bënë pjesë të protestave pranë institucioneve përkatëse, disa shpërndanë mesazhe sensibilizuese nëpër rrugë e disa të tjera u bënë pjesë e forumit #përgratë. Një forum që ishte fillimi i diçkaje përtej simbolit të një dite, fillimi i një nisme për të qenë aty çdo ditë për gratë e vajzat që kanë nevojë. Një forum që rrënqethi e përloti me historitë e vërteta të përditshmërisë, e që do konkretizojë gjithçka në javët në vazhdim.
Gjithçka ishte mirë, deri në momentin që nismat tona u quajtën “të rrezikshme”, disa fjali tonat u quajtën “injorancë”. Po zonja Sevim, për deklaratën tuaj me zë, e të gjithë të tjerave që e pëshpëritën. Numrat dhe organizatat për gra ekzistojnë, por u zgjuan vetëm dje kur fuqia e aktivisteve me pasion feminist foli dhe tronditi më tepër se çka është bërë më herët. Por siç e thatë dhe ju, nuk është momenti për të thënë “unë” (dhe pse ju e bëtë kur theksin donit ta vinit te nismat tuaja që në 95′).
Kur unë e të tjera morëm me radhë të gjitha organizatat e listuara për t’u informuar në lidhje me një nismë që donim të organizonim (në tetor, e jo në 8 mars)në lidhje me gratë e dhunuara, pak u përgjigjën dhe ato që u përgjigjën refuzuan. (Por fondet nuk i refuzojnë kurrë)Mendojeni dhe njëherë nëse është injoranca jonë që nuk e dimë numrin për ndihmën ndaj grave, apo mosfunksionimi juaj për ta bërë të ditur.
Dhe po, Fatma është e rrezikshme dhe ne jemi akoma më shumë të rrezikshme. Sepse jemi ndryshe nga ju dhe nuk na kuptoni, por ne i bëjmë gjërat me dashuri dhe pasion. E ngremë zërin pa pasur frikë, sepse kemi ëndrra dhe shpresa. Ne nuk bëjmë asgjë për lekë e fonde, prandaj rrini të qeta se do mbeten të paprekura. Ka ardhur koha që organizatat tuaja janë kthyer në fantazëm, dhe revolucioni nëse do bëhet një ditë do bëhet nga ne, vajzat dhe djemtë e rinj që flasin çdo ditë, që kanë “ditë të gruas” çdo ditë. Numrat tuaja mund t’i mbani, se askush nuk i di, askush nuk përgjigjet dhe vajzat vazhdojnë të shkruajnë anonim në portalet e mediave, pa ditur se ku tjetër të përplasen. Madje më shkruajnë dhe mua në instagramin personal, ama asnjehërë ju se edhe nëse e dinë që ekzistoni, asnjëherë s’e kanë ndjerë mbështetjen tuaj, sigurinë tuaj. Ah dhe po, kur vetë ju në intervistë ishit e paqartë për numrin sa ishte, mbyllet këtu kjo çështja. Ju ekzistoni vërtet dhe s’jua mohojmë se e kam parë listën e gjatë të gjithë organizatave tuaja. Ekzistoni, po ku jeni? Mirë protesta, marshime, nisma konkrete që as bëhet fjalë nga ju, po as dy rreshta në rrjete sociale nuk shkruat kur qindra raste u bënë publikë vitin e fundit dhe vazhdojnë këtë vit. Nuk jeni pra.
Gjithsesi, rrini të qeta. Ne jemi ende naive idealiste, që do e ndryshojmë Shqipërinë bashkë. Do bëjmë gjithçka me informacion, dashuri dhe përkrahje dhe mbi të gjitha, pa para.
Flini të qeta! (Nëse arrini të flini mbi çarçafët tuaj të mëndafshtë, ndërkohë që një tjetër vajze i skuqet çarçafi nga fyti i prerë).
Ne do vazhdojmë të jemi të rrezikshme!