Njihuni me Alba Hoxhën, vajza e motit me një histori aspak hirusheje! Ajo erdhi si një... (FOTO) - AlpeGossip
Njihuni me Alba Hoxhën, vajza e motit me një histori aspak hirusheje! Ajo erdhi si një… (FOTO)

Njihuni me Alba Hoxhën, vajza e motit me një histori aspak hirusheje! Ajo erdhi si një… (FOTO)

Një histori aspak hirusheje: nga trupa e baletit e Albi Nakos, në ekran si balerinë e programit Stop, e së fundmi vajza që parashikon motin për të gjithë shqiptarët.

Ndonjëherë është krijuar përshtypja se të jesh e bukur mjafton për të ngjitur shumë lehtë shkallët e karrierës në botën e televizionit, ndonëse pas 5 minutash komunikim me publikun, nëse nuk je e aftë, kjo bukuri venitet me shpejtësinë e dritës. Një paragjykim, i cili për hir të së vërtetës nuk është i pabazë në Shqipëri. Imazhe të tilla, përjashtohen menjëherë nga audienca, që është shumë e shkathët për të kuptuar se kush vlen dhe kush jo.

Është ndër të paktat personazhe, për të cilën dalja e parë në ekran ka qenë shumë e suksesshme dhe është pritur mjaft pozitivisht. Pak kohë më parë, atëherë kur sapo kishte nisur një eksperiencë si balerinë e emisionit investigativ ‘Stop’, Alba Hoxha as nuk e kishte menduar që ndalesa e radhës në televizion, në një profil totalisht ndryshe, do të ishte moderimi, si prezantuesja më e re e motit në TV Klan. Prej pak javësh, ura e komunikimit mes saj dhe publikut nuk është vetëm gjuha e trupit, por tashmë edhe fjala, e ndërsa gjestet kanë kaluar në plan të dytë. Prezantimin e ka konsideruar si një sfidë, një mënyrë për të njohur më tepër veten, por gjithashtu edhe për t’i thyer ato steriotipe, ndonëse ky nuk është një qëllim në vetvete, që janë krijuar për një prezantuese moti në Shqipëri: ajo vajza e bukur, që thjesht duhet të recitojë disa vargje të cilat i ka mësuar më herët përmendësh dhe asgjë tjetër. Ashtu si ia doli të bëhej nga një “balerinë e pagdhendur, dru”, (fjalët e para që ka dëgjuar nga koreografi Albi Nako, kur iu prezantua për herë të parë) në balerinë kryesore, të njëjtën rrugë do të ndjekë edhe në moderim. Teksa kthehet pas në kohë dhe kujton fillimet si balerinë, se sa shumë lodhje, djersë, mund dhe orë pune, është e sigurt vetëm për diçka: që nga baleti nuk do të heqë dorë kurrë, me të nuk do të bëjë kurrë kompromise. Shkathtësinë, elokuencën, qëndrimin fisnik e mbi të gjitha buzëqeshjen, karakteristika që i pamë në fillim tek Alba balerinë, ia ka veshur edhe Albës si prezantuse, jo më kot ajo u prit aq mirë nga publiku që në dalje të parë…ndonëse komente si “u bë kjo” nuk kanë munguar.

“Fillimet e mia natyrisht që kanë qenë të vështira, duke pasur parasysh se sa e mundimshme është të bësh vend në fushën e baletit dhe se sa të pakta janë mundësitë. Me shumë vullnet, por edhe me pak fat u gjenda tek ‘Albi Nako Dance’, një ogur i mbarë për fillimin tim si balerinë e një trupe profesioniste. Përgjegjësi, angazhim kohë e pakohë, punë intensive, ambicie për të evidentuar veten, për t’u përsosur cilësisht në aspektin profesional dhe për të qenë një balerinë profesioniste. Asgjë nuk do më bënte të hiqja dorë nga baleti sepse është shtylla ime kurrizore. Po të hiqja dorë kaq shpejt nga profesioni im, duke marrë parasysh që jam ende shumë e re, padyshim do të quhesha një dështake. Do më pëlqentë në jetë të isha një vajzë e realizuar, por duke fluturuar jo më lart se ç’të mbajnë krahët”, është shprehur ajo.

Historia e balerinëve të suksesshëm në Shqipëri, ndoshta është paksa kokëfortë me të dhënat, pasi duket se të gjithë largohen, kërkojnë suksesin në një vend tjetër, në një vend që mund t’i ofrojë kushte më të mira pune, më shumë famë, më shumë para…si për shembull Italia. Figura shumë të njohura të baletit si Ambeta Toromani, Kledi Kadiu, së fundmi Klaudia Pepa kanë ndërtuar një karrierë shumë të suksesshme në shtetin fqinj, prandaj ndonjëherë stepemi përballë talenteve, me frikën se ata do të na largohen. Natyrshëm lind nevoja për ta pyetur Albën, lidhur me të ardhmen, planet afatshkurtra si dhe ato afatgjata, e thënë më konkretisht nëse e ka menduar që largohet nga Shqipëria. “Kam ndërtuar karrierën time mbi rrënjë shumë të forta në Shqipëri “, u përgjigj ajo.

Është shumë krenare për çfarë ka arritur deri më tani, ashtu sikurse është shumë optimiste për atë që do i sjellë e ardhmja, pasi e di që si gjithmonë do ketë në krah familjen dhe se do të korrë frytet e punës së palodhshme përgjatë këtyre viteve.

Burimi: Bordo.al