Në jetën e një artisti gjithmonë ka një fillesë. Ajo vjen vetvetiu, e pakuptueshme që të pushton, të le pa gjumë, të shtyn drejt saj, kthehet në një makth për t’u plotësuar.
Një fëmijë i vogël, sapo kishte dalë nga shtëpia karakteristike tiranase, ndërtuar me qerpiç e hatlla në rrugën “Fortuzi”, e cila u dogj gjatë Luftës. Në dorë mbante një shkumës dhe portën e ktheu në telajo. Papritur filloi të vizatonte, duke shkarravitur portën e shtëpisë. Nuk ndaloi. Iu drejtua portave të tjera të mëhallës… I ati do ta qortonte rëndë, por fëmija nuk heq dorë. Vizatimi nuk ishte thjesht një ëndërr, por një dëshirë e papërmbajtur. Nuk ngopej së vizatuari. Ai e tërheq si me magji, një joshje e papërmbajtur…
Kështu do të niste rrugëtimi artistik i piktorit Fadil Pullumbi. U lind në Tiranë, më 14 mars 1918 në një familje të thjeshtë tiranase. Të parët e tij kanë ardhur në kryeqytet nga fshati Pëllumbas, ku ndodhet edhe shpella e famshme me të njëjtin emër. Të dy prindërit i vdesin në moshë të re, nëna 30, ndërsa i ati 44 vjeç. Mbetet jetim dhe i duhet ta përballojë i vetëm jetën.
Në vitin ’31 në Tiranë zhvillohet një konkurs vizatimi. Më pas kursi do të kthehet në shkollë, duke u bërë shkolla e parë e Arteve të Bukura në Shqipëri. Erdhën nxënës nga i gjithë vendi, Elbasani, Durrësi, Himara, Kolonja, Korça, Dibra, Zagoria, Gjakova, Tirana dhe gjeografia shkon deri në Kosovë dhe Maqedoni si Sadik Kaceli, Gani Strazimiri, Llazar Nikolla, Foto Stamo, Mark Mima, Nexhmedin Zajmi, Bukurosh Sejdini, Filip Makoçi, Qamil Grezda etj., të cilët më pas do të studionin në akademitë më të mira të Romës, Athinës apo Parisit. Aty Fadili studion nga viti 1932-1936.636255
Shkolla drejtohej nga italiani Mario Ridola dhe Andrea Kushi. Më pas drejtimin e saj do ta merrnin Odise Paskali, Abdurrahim Buza, Lasgush Poradeci, Hajro Xhunga.
Piktori e kujtonte me mall atë kohë dhe mësuesit si njerëz të mrekullueshëm. Në muret e shkollës ishin të varura modele në allçi, riprodhime të kryeveprave botërore në allçi, frizera dhe punime në reliev riprodhuar në allçi. Kishte riprodhime në akuarel, në bojëra vaji, në skulpturë.
Nxënësit e shkollës tërhoqën vëmendjen e shtypit të kohës dhe në faqet e gazetave do të shfaqeshin artikujt e parë në vlerësim të shkollës dhe të punëve të nxënësve të saj. Njëri prej tyre titulluar “Dhe dymbëdhjetë apostuj e tij”, bënte një përshkrim të bukur të shkollës dhe ngjallte shpresën e së ardhmes.
Çdo vit Shkolla e Vizatimit organizon ekspozita. Gazetat e kohës i kushtojnë vëmendje. Domethënës është një shkrim i revistës “Minerva”,(1933). Kryeredaktori Nebil Çika thekson se ajo do të bëhet “Akademia e ardhme e Arteve të Bukura”. Ndërsa artikulli i gazetës “Besa” (1935), shkruar nga Javer Rushiti, titullohej “Mjeshtri dhe dymbëdhjetë apostujt!”
Me rastin e hapjes së një ekspozite me punimet e nxënësve të shkollës, më 1932 Fadili një nga nxënësit më të dalluar të shkollës paraqet rreth njëzet punime. Ekspozita hapet në mjediset godinës ku ishte Shkolla e Vizatimit në ish-rrugën “Bato”, sot rruga “Myslym Shyri”.
Vitet kalonin dhe tërheqja ndaj pikurës bëhej gjithnjë e më e madhe. Një ditë, ndërsa pikturonte rrugën pranë shtëpisë, do të kalonte Kryeministri i kohës, Mehdi Frashëri. I tërhoqi vëmendjen i riu tek po pikturonte, ndali këmbët, i afrua dhe e pyeti:
– Si e ke emrin ?
– Fadil Pullumbi,
– i përgjigjet.
– Ti qenke pëllumb, – tha. Ke dëshirë të vazhdosh studimet për pikturë?
Pyetje e kotë. Piktura është tashmë qëllimi i jetës. Mehdi Frashëri i tha sekretarit Sami Kadriut ta njoftonte për bursën në Itali dhe djaloshit i plotësohet dëshira e madhe. Ishte koha kur shumëkush kërkonte të studionte për Mjekësi, Inxhinieri dhe të paktë ishin ata që i drejtoheshin artit. Piktori kujtonte se “në Tiranë në atë kohë, nuk na kuptonin. E quanin marrëzi të merreshe me pikturë. Ç’janë këta që nuk duan të bëhen doktorë, avokatë…!”
Në vitet 1936 – 1939 ndjek studimet e Larta në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë me profesorë të njohur si Guido Agostini, të cilin kur e kujtonte, nga mallëngjimi i mbusheshin sytë me lot. “Ishte piktor i shkollës franceze, njeri i mrekullueshëm, njeri i rrallë. Ishte babai i dytë për mua”.
Diplomën e mbron me tablonë “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”, duke u vlerësuar me Medalje të Artë. Më 1940 bashkë me piktorin italian Luixhi Piffero kreu një sërë punimesh në akuarel (peizazhe, kompozime, portrete etj.), nga të cilat pjesa më e madhe u riprodhua nga enciklopedia italiane De Agostini i Novarës. Tema e punimeve ishte e ndryshme, kryesisht folklorike, kostume, pamje nga qytete të ndryshme të vendit, Tirana, Korça, Shkodra e malësia.
Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore hap ekspozitën e parë me vizatime dhe akuarele. Më 1945, organizon Ekspozitën e Parë të Artizanatit Shqiptar. Në vitin 1946, projekton dhe zbaton Pavijonin e parë shqiptar në panairet ndërkombëtare, ekspozitën “Shqipëria e re” në Rumani e Bullgari, kurse në 1949 Pavijonin shqiptar në Poznan të Polonisë dhe në Pragë të Çekosllovakisë, kurse më vonë edhe me dhjetëra panaire të tjera ndërkombëtare. Merr pjesë në krijimin më 1946 të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, si një nga 26 anëtarët bashkëthemelues.
Por me kalimin e kohës dhe forcimin e ndikimit partiak mbi artet, piktori i largohet krijimeve. “Deri sa isha student, jam marrë me të gjitha gjinitë, tregonte ai, mirëpo këtu në vendin tonë, mbas çlirimit u krijua një situatë e rëndë. Pa dashur u hodha në peizazh, se nuk kisha mundësi. A kompozohet në dhomën ku fle?! Si mund aty të bësh një portret? Nuk kam pasur një studio tamam dhe jo vetëm kaq, por drejtuesit e Lidhjes thoshin, ai merret me peizazh, nuk ka se çfarë i duhet studio. Del në natyrë e pikturon. Jam marrë me akuarel nga halli se ishte e lehtë, merr dy letra nën sqetull, një kuti akuareli dhe ik e puno. Kisha mbaruar Akademinë dhe më vunë të punoja në Ndërmarrjen Artistike, ku punoja me normë!”.
Më pas, gjithnjë e më shpesh, nuk e pranonin nëpër ekspozita. Ai çonte punë dhe komisionet e kohës ia kthenin mbrapsht. “Nuk i pranonin, shprehej me duf piktori. Çova një herë dhjetë punë (në ekspozitë), m’i kthyen të gjitha… në kohën e Italisë kur kam bërë një akuarel nga Kruja apo Tirana dhe kur ma blinin shtëpitë botuese italiane për kartolina, rrija gjashtë muaj në konvikt me lekët që merrja”.
Thuajse e la pikturën dhe u mor me pavijonet jashtë shtetit, duke bërë jo thjesht ekspozita. Në vitet 1946 deri 1951 ka qëndruar në periudha të ndryshme të Pragë dhe Zagreb, ku ka kryer edhe disa punime në akuarel e vaj, pllakate, vizatime, etj.. Në 1948 ndodhet në Bukuresht, ku qëndron deri në fund të majit. Ndërton ekspozitën “Shqipëria e re”. Më 1950 dekorohet me medalje pune. Më 1960 – 1967 zhvillon aktivitetin e tij si piktor pranë Estradës së Shtetit dhe Byrosë Teknike të Artizanatit dhe më vonë pranë ndërmarrjes artistike “Migjeni”.
Vepra dhe krijime të ndryshme të artistit gjenden në mjaft vende të Europës. Në fondet e Galerisë Kombëtare ruhen dy vepra të tij “Rrapi i vjetër” (vaj) dhe “Autoportret” (vaj). I freskët, shumëngjyrësh, plot jetë janë edhe punimet “Durrësi”, “Stuhi në det”, “Pemë në shi”, “Uji i Ftohtë Vlorë”, “Tre pemë në ujë” etj..
Kujtohet si një tip i gjallë e energjik, artist në pamje dhe në shpirt, i përkushtuar,shpesh mbante në gojë një llullë e thithte me endje tymin e duhanit, shoqëruar me një gotë raki, sikur thithte dhe gjerbte nektarin e kësaj bote…
I fortë në vizatim, një akuarelist i përsosur dhe një vizatues me nerv shpërthyes, tepër të mprehtë, të cilën e tregonte nga shkathtësia e ndërtimit të menjëhershëm të figurës njerëzore, peizazhit apo edhe natyrat e qeta. Figurat gjithmonë i kishte në lëvizje, po ashtu edhe ndërtimet plastike të formave.
“Kini kujdes, porosiste, shikojeni figurën me dashuri, me një koncept më shpërthyes të lëvizjes së formave, shikojeni kontrastin bardhë e zi, në mënyrë grafike”, shprehej edhe për akuarelin, “shikojini këto parime edhe, në akuarel, në mënyrë që të jetë sa më dinamik, sa më shprehës dhe ndërtuar me një teknologji të ujshme. Tek akuareli të ndiehet uji. Uji është lëvizje. Uji që nga kultura pagane ka qenë një mit i rinisë së përjetshme dhe në akuarel duhet të ndiehet uji si freski e lëvizje”.
Dilte me nxënësit në rrethinat e largëta të kryeqytetit, midis lumit dhe kodrave kodrinore me ullinj tiranase. “Shikojeni dritën, u tërhiqte vëmendjen, grinë e ullirit. Është mesdhetare. Shikojeni raportin që luan drita e diellit në gritë e ullirit. Shikojeni përballjen që krijohet midis hapësirës blu dhe njollave të errëta, që le ulliri në trungun e tij. Shikoni raportet se sa bukur rrinë. Kërkojini raportet në natyrë, sepse aty është edhe bukuria e akuarelit”!
Fadil Pullumbi ishte një akuarelist i veçantë për kohën. Po të kishte pasur më liri krijimi do të kishte dhënë shumë e më shumë se sa dha. Por kjo është jeta. Një herë nuk je në vendin e duhur dhe herë tjetër koha është e tillë që nuk të le, por të ndrydh brenda kornizave të saj, shi siç ndodhi me diktaturën shqiptare. Jo vetëm Fadil Pullumbi, por edhe shumë artistë të talentuar në një kohë tjetër do të kishin vlerë tjetër…. Piktori Fadil Pullumbi edhe pse i paekspozuar në Galerinë e Arteve, duke qenë themelues i saj, ruhet në mendjen e shumë artistëve.
Shikuesit dhe artdashësit do të kenë edhe një herë rastin të “bashkëbisedojnë” me veprat e autorit, në ekspozitën që do të hapet me 26 shtator në mjediset e Muzeut Kombëtar, duke ndierë në sipërfaqet e punimeve ngjyrat e freskëta, dritën e bukur, zbulimin e papritur të formave në volume dhe mbresa, drithërimën e penelit, rrëshqitjen e ujërave dhe befasitë që krijon, por më shumë do të ndiejnë shpirtin e piktorit, që pulson përjetësisht në veprat që la…
Disa nga pikturat e Fadil Pullumbit:
1. Kostum Dibre
2. Kostumet tipike të Veriu
3. Kostume malësorësh