Ilir Shaqiri për VIP-at: Unë jam drejtori dhe ata nxënësit, lëvdata dhe pikë të larta s’do të marrin kot nga unë – AlpeGossip
Ilir Shaqiri për VIP-at: Unë jam drejtori dhe ata nxënësit, lëvdata dhe pikë të larta s’do të marrin kot nga unë

Ilir Shaqiri për VIP-at: Unë jam drejtori dhe ata nxënësit, lëvdata dhe pikë të larta s’do të marrin kot nga unë

Po bëhet gati një dekadë që balerini me karrierë të spikatur, Ilir Shaqiri, fluturon çdo javë drejt Tiranës për të kryesuar jurinë e “Dancing with the stars”. Si një artist i sprovuar e me famë në Itali, në këtë përballje me artistët shqiptarë të kësaj gare kërcimi, ai e konsideron veten drejtorin e një klase me nxënës, të cilët duhet të bëjnë show me kërcime e jo fjalë. Për martesën me aktoren italiane të serialeve, Emanuela Marini, projektet e mëdha, vajzës së tyre Emily dhe vitet mbi supet e një balerini, Shaqiri i rrëfen në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Rikthehesh sërish në panelin e “Dancing with the Stars”. Meqë këtë edicion garuesit e kanë për herë të dytë, mendon se kjo i ndihmon apo i fundos, nëse nuk e kanë prirje sadopak kërcimin?

Mendoj që kush është rikthyer e ka bërë për të dalë më mirë se herën e parë. Dhe duke njohur si funksionon mekanizmi i programit, besoj i kanë bërë mirë llogaritë te talenti i tyre si balerinë. Për këtë arsye, unë personalisht do të jem më shumë kërkues si kualitet kërcimi dhe pikët nuk do i fal.

Është e vështirë të gjykosh personazhe që kanë një karrierë personale dhe që shpesh mund t’i marrin komentet për ters? Si e ke zgjidhur këtë pjesë?

Unë kam shumë respekt për punën, talentin dhe karrierën e secilit prej tyre dhe pretendoj të njëjtën gjë prej tyre drejt meje. Në rastin konkret, ata janë nxënësit, unë drejtori, prandaj duhet të nxjerrin mësime nga kritikat dhe të kërcejnë sa më bukur kanë mundësi, pasi unë e kuptoj kur ata kanë përparime ose jo. Lëvdata dhe pikë të larta kot nga ana ime nuk do të kenë. Përkundrazi, vlerësoj shumë kush punon e bën show në bazë të punës dhe jo fjalëve.