KELVI KADILLI DIKUR SULMONTE KOPJACËT/ Moderatori "vjedh" emisionin e kësaj prezantuese së njohur (FOTO) - AlpeGossip
KELVI KADILLI DIKUR SULMONTE KOPJACËT/ Moderatori “vjedh” emisionin e kësaj prezantuese së njohur (FOTO)

KELVI KADILLI DIKUR SULMONTE KOPJACËT/ Moderatori “vjedh” emisionin e kësaj prezantuese së njohur (FOTO)

Plot një vit më parë Kelvi Kadilli dhe Ermal Mamaqi u bënë qendra e vëmendjes për punë çiçi, por jo çiç dosido: punë çiçi në dush. (Ky artikull fitoi çmimin “Hyrja më e pazakontë në botë”.) Një herë, Ermali bëri pyetjen “a e bën çiçin në dush” në “Xing me Ermalin” dhe Kelvi, i cili ndihet zoti fuqiplotë i pyetjes së lashtë sa dushet, e akuzoi publikisht për kopjim.

“Imitimi është forma më e lartë e adhurimit,” tha Kelvi në Instagram, ndërsa në “Pop Culture” transmetoi një montazh ku shfaqeshin lojërat që Ermali luante me të ftuarit në “Xing me Ermalin” paralel me emisionet e huaja nga ku ishin vjedhur. Gjithë gjullurdinë mund ta lexoni të plotë këtu.

“Pop Culture” ndryshoi këtë sezon televiziv; transmetohet vetëm një herë në javë dhe për më gjatë. Në dy orë minutazh, Kelvi Kadilli, Dojna Mema, Andi Vrapi dhe Xhesi Muçaj intervistojnë njerëz të ndryshëm, në stilet e tyre. Rubrika e Kelvit quhet “FlakëFare” dhe konsiston në një të ftuar, një tavolinë të bardhë, sfond të zi me flakë dhe dy butona rastësorë që realisht s’kryejnë asnjë funksion në të mirë të formatit.
Segmenti “Ellen’s Burning Question” i Ellen DeGeneres është ekzaktësisht e njëjta gjë. Një i ftuar, tavolinë e bardhë, sfond i zi me flakë dhe dy butona që s’i shpërbejnë formatit. Ja ku është Jennifer Lawrence që i përgjigjet pyetjeve të nxehta të Ellen, rreth një vit më parë. Dhe Jonida Maliqi e Zaimina që i përgjigjen pyetjeve të nxehta të Kelvi Kadillit përkatësisht dy dhe një javë më parë.

Mes formulës së Ellen dhe të Kelvit ka një dallim: lloji i pyetjeve. Pyetjet e Ellen janë të shkurtra dhe presin përgjigje të shkurtra. Zakonisht, pas të ftuarit, pyetjes i përgjigjet dhe vetë Ellen. Ndërsa Kelvi bën pyetje më të hapura që lënë vend dhe për monologje të shkurtra. Ai vetë nuk u përgjigjet pyetjeve.

Të kopjosh apo të frymëzohesh nga dikush nuk është domosdo mëkat. Por, vetëm për sa kohë jep diçka nga vetja, e përdredh diku, e përshtat për tregun vendas, i vë shenjën tënde. Si dhe më e rëndësishmja, nëse e shpreh publikisht nga u frymëzove.