Ku të shkojmë këtë fundjavë: Atraksioni turistik që po çmend shqiptarët, por edhe të huajt – AlpeGossip
Ku të shkojmë këtë fundjavë: Atraksioni turistik që po çmend shqiptarët, por edhe të huajt

Ku të shkojmë këtë fundjavë: Atraksioni turistik që po çmend shqiptarët, por edhe të huajt

Pas disa javëve me reshje na u duk sikur vera kishte harruar të vinte dhe nuk po i shijonim siç duhet pushimet e shkurtra që secili prej nesh organizon gjatë fundjavave. Mirëpo më në fund dielli po shkëlqen dhe temperaturat janë relativisht të larta dhe na ftojnë të gjithëve që t’i drejtohemi bregdetit.

Gjatë kësaj fundjave “iconstyle.al” ju sugjeron të vizitoni një ndër atraksionet turistike shqiptare më të bukura, Gjirin e Gramës në Dhërmi. Një plazh mjaft piktoreskë, intim dhe i përshtatshëm për plazh familjar apo dhe grupe shoqërore.

Foto marrë nga @visit-albania

Ku ndodhet ai?

Gjiri i Gramës në Gadishullin e Karaburunit, i njohur si Gjiri i Grammatas, ndodhet në rrëzë të shpatit perëndimor të qytezës së Orikumit, në rrethin e Vlorës.

Ai shfrytëzohet si një plazh i vogël intim tek i cili mund të shkoni me rrugë tokësore, por edhe detare.

Çfarë na ofron kjo zonë turistike?

Gjiri i Gramës është një zonë e cila mbart vlera të shumta turistike dhe historike. Ai futet disa qindra metra në tokë dhe formon një bregdet shkëmbor me foleza të shumta, madje ka edhe shpella nënujore. Gjiri i Gramës ka shërbyer si një vend strehimi për anijet që gjendeshin në vështirësi gjatë bregdetit në ditët kur moti nuk ishte i përshtatshëm.

Foto marrë nga @dsmtouristguidealbania

Në antikitet ai është përdorur si gurore, gjurmët e të cilave duken edhe sot në të dy shpatet. Gjithashtu aty të pranishme janë edhe shenjat e mbishkrimeve të shumta të gdhendura që në lashtësi. Madje edhe emri i këtij gjiri lidhet me mbishkrimet e gdhendura që në antikitet, të cilat numërohen të jenë më shumë se 1500. Mbishkrimet greke janë më të lashtat dhe u takojnë shekujve të fundit të para Krishtit, të pasuara nga shkrime latine të periudhës perandorake.

Foto marrë nga @visit-albania

Mbishkrimet greke iu drejtohen hyjnive pagane shpëtimtare, mbrojtëse të detarëve dhe të anijeve. Prania e emrave latinë në greqisht, flet gjithashtu dhe për lidhjet e ngushta midis dy brigjeve të Adriatikut dhe detit Jon.

Arkeologët shqiptarë i kanë studiuar këto shpella dhe ka rezultuar se ato kanë vlera të shumta gjeomorfologjike, historike, arkeologjike, didaktike, kulturore dhe historike.

Për vet natyrën piktoreske që ofron dhe historinë e lashtë që mbart ky është një ndër gjiret shqiptare më të vizituar dhe që ka ngjallur edhe interesin e turistëve të huaj.

Foto marrë nga @albaniatourclub

Çfarë mund të bëjmë këtë fundjavë tek Gjiri i Gramës?

Nëse dëshironi të kaloni një fundjavë ndryshe, larg zhurmave dhe monotonisë së zakonshme Gjiri i Gramës është vendi ideal. Vet intimiteti që ai të ofron dhe ujërat e kristalta janë një ftesë e hapur për secilin prej nesh për të shijuar një fundjavë relaksuese, por edhe argëtuese.

Gjithashtu mund të njiheni edhe me historinë e lashtë të këtij gjiri që ngjall interesin e të gjithëve.

Foto marrë nga @dsmtouristguidealbania

Çfarë duhet të marrim me vete?

Nuk duhet të mungojnë rrobat e banjos, kremrat mbrojtës nga dielli, pije dhe ushqime, pasi duke qenë se është një zonë e virgjër këtu lokalet mungojnë. Nëse dëshironi që të kaloni edhe natën në këtë zonë mbresëlënëse iu sugjerojmë që të merrni me vete një çadër kampingu.