Felicity Huffman ka rënë dakord të pranojë fajësinë për rolin e saj për skandalin e dhënies së ryshfeteve për futjen e vajzës në universitet
Aktorja është mes 14 prindërve, të cilët të hënën ranë dakord të pranojnë akuzat. Hapi i ardhshëm në rastin e Huffman është një seancë dëgjimi dhe më pas do të jepet dënimi.
Dënimi maksimal për akuzat e ngritura ndaj saj është 20 vjet burg, tre vit liri me kusht dhe një gjobë prej 250.000 dollarë.
Në një deklaratë, Huffman tha se e kishte “tradhtuar” vajzën e saj, Sofia, duke paguar dikë që të ndryshonte rezultatet e saj të provimit, për të përmirësuar mundësitë e saj për të hyrë në një universitet të mirë.
“Pranoj fajin tim dhe me keqardhje të thellë dhe turp për atë që kam bërë, pranoj përgjegjësinë e plotë për veprimet e mia dhe do të pranoj pasojat që dalin nga këto veprime. Më vjen turp për dhimbjen që i kam shkaktuar vajzës sime, familjes sime, miqve të mi, kolegëve të mi dhe komunitetit arsimor. Dua t’u kërkoj falje atyre dhe sidomos dëshiroj t’u kërkoj falje studentëve që punojnë shumë çdo ditë për të hyrë në universitet dhe prindërve të tyre që bëjnë sakrifica të jashtëzakonshme për të mbështetur fëmijët e tyre dhe e bëjnë këtë me ndershmëri”, shkruhet në deklaratën publike.
Aktorja e njohur për rolin e saj në filmin “Shtëpiake të dëshpëruara”, ka paguar një kontribut bamirësie prej 15.000 dollarë për të marrë pjesë në skemën e mashtrimit të provimit të hyrjes në kolegj në emër të vajzës së saj më të madhe në dhjetor të 2017-s, thuhet në dosje.