SHPËRTHEN KEQ AKTORJA/ Zamira Kita: Kemi teatër mesatar e mediokër, mjaft me furça – AlpeGossip
SHPËRTHEN KEQ AKTORJA/ Zamira Kita: Kemi teatër mesatar e mediokër, mjaft me furça

SHPËRTHEN KEQ AKTORJA/ Zamira Kita: Kemi teatër mesatar e mediokër, mjaft me furça

Kritika që Miho Gjini i bëri shfaqjes “Senatori FOX” të sjellë në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit, nuk u prit mirë nga trupa e teatrit të Vlorës. Si të mos mjaftonin kundërshtitë e trupës, në anën të tyre doli edhe Armando Bora e Albert Minga, që kërkuan nga kritiku i artit Miho Gjini, që dha mendimet e tij si kritik mbi përzgjedhjen e pjesës, interpretimin e aktorëve, gjetjet regjisoriale dhe vetë konceptin. Takimi i mbajtur qe paralajmëruar të ishte një debat artistik mbi shfaqjet e festivalit, por shpesh artistët të pamësuar me kritika, nuk i mirëpresin ato. Në rastin kur kritikat vijnë nga gazetarët, këta të fundit shpallen armiq, sepse sipas artistëve, nuk kanë as tagrin, as formimin që të bëjnë kritika, e kur këto vijnë nga kritika e mirëfilltë, ose kolegët e ndjejnë veten para gjyqit.

DEBATI

Ishte Hervin Çuli, drejtori i Teatrit Kombëtar në ekzil te ‘arTurbina’ që u ul në panel i pari, duke ftuar krah tij kritikun Miho Gjini dhe më pas trupën e Vlorës.

Profesor Miho në fjalën e tij, si fillim u ankua që shpesh nuk gjen për shfaqjet fletëpalosjet dhe të dhënat bazë, çka detyron sorollatje për të kuptuar kush luan kë, sepse ndodh të ngatërrohen. “Për Vlorën dua të them dy fjalë, përgjithësisht pozitive. Festivali është në ngjitje. Shpalos vlera nga më të ndryshmet. Repertori ka larmi që nga veprat e mira, e herë-herë hasim në vepra që u duhet tërhequr veshi. Te ‘Senatori Fox’ na pëlqeu interpretimi i aktorëve, që përcillnin idenë për të zhvatur e shkatërruar. S’jam dakord me regjisorin për zgjedhjen e pjesës, sepse vërtet përkon me realitetin tonë deri diku, por është e konsumuar. Pjesë të mbushura me artifice e me zgjidhje si të përrallat e ‘1001 Netëve’, me medaljone në qafë te njërit a tjetri. Këto janë mjete të konsumuara”. Kaq tha Miho mbase duke u treguar shumë i butë me shfaqjen, pasi nëse e ke parë, e di mirë që edhe interpretimi çalonte, e se aktorët shpesh ngatërronin/harronin tekstin. Por, kritikat nuk pranohen.

Fjalën e mori regjisori Armand Bora, i cili tha “prof.Miho ka fatin e madh që është dëshmitar i viteve ‘40-’50, por them që nuk mund të nisemi të paragjykojmë një regjisor për një trupë a për një pjesë. Ky tekst është vënë disa herë. S’mund ta penalizojmë pse ka zgjedhur këtë tekst. E kam nisur karrierën në Vlorë. Si rrallë trupë, ata kanë pasur fatin të punojnë me një regjisor që u ka dhënë atyre një imazh. Sepse për fat të mirë a të keq, në teatrot ku ka shumë regjisorë, aktorët i përdorin si mjete regjisorë të ndryshëm”. Debati vazhdoi mes sallës ku ishte Bora e panelit ku ishte Miho Gjini, i cili mbase me gjasë u pendua se tha ç’mendonte, kur pa një grup t’i kthehej kundër vetëm pse guxoi të bënte punën e tij: kritikun e teatrit.