Meqë dielli nuk e ka me qejf të dalë, le të kujtojmë disa nga këngët që i kënduan shiut.
– E ndërsa shiu binte pik, pik, pik, ndërkohë që ora shkonte tik-tak, një djalosh i vetmuar priste në shi, për çudinë tonë me ankth e gëzim. Jo vetëm kaq, por duhet të vinte vajza që t’i kujtonte të hapte ombrellën. Para jush, Vaçe Zela me “Djaloshi dhe Shiu”.
– “Unë mendoj vetëm për ty/ Ndërsa jashtë po bie shi/ Unë të kërkoj vetëm ty/ Dhe dëgjoj këtë melodi…këtë melodi”, do t’i këndonin Fisnikët shiut dhe dashurisë së pamundur.
– Grupi i famshëm i viteve ’80, “Minatori”, i këndoi shiut që binte nëpër xhama duke e krahasuar atë me vashën e zemrës. “Ti je sikur drita e diellit të parë/ Sikur shiu në tokën e tharë/ Si një lajm i mirë në fund”.
-Këtë herë shiu bie në Tiranë; aq i madh është malli sa edhe qielli qan.
E njëjta këngë që u soll pak kohë më parë në një version më modern nga Eni Koçi dhe Genz Prelvukaj me po të njëjtën fabul: një i/e dehur nga pija ose nga dashuria që ecte rrugëve të Tiranës, ditëve me shi.
– Vazhdojmë me grupin që me shumë gjasa iu erdhi në mend i pari sapo lexuat fjalën “shiu”. Tani dikush e urren tmerrësisht shiun dhe kush tjetër përveç Elita 5.
Jo vetëm kaq, por vazhdojmë me një tjetër këngë nga grupi i famshëm, “Shiu vetëm ty të lagë”.
– Një tjetër vajzë që vonohet për shkak të shiut, ndërkohë që djaloshi pret i bërë qull. Mihallaq Andrea me “Binte Shiu”.
– Po ashtu as Sabri Fejzullahu s’e do hiç shiun në këngën “Merrma shiun e Prishtinës”: “Pika e lotit të ra në faqe/ Dhembja jote, më dhembi mua/ Ku kam dhënë dhimbjet e mija/ mora n’gjoks dhimbjet e tua”.
– Edhe pse shiu këto kohë nuk po ikën fare, për Argjentina Ramosajn pikat e tij “i kujtonin” dhimbjen e largimit që lë personi i zemrës. E dimë që nisët të këndoni refrenin tani; si një shi ti ike…
– Le ta quajmë si kënga e vetme 100% pozitive. Më në fund, ja dikush që e do shiun. Po, Miriam Cani!
– Djaloshi “zemërthyer”, Ylli Limani, s’mund t’i këndonte më mirë shiut sesa në baladën e ndjerë, pjesëmarrëse në Festivalin e 55-të të Këngës në RTSH. Epo, dikush duhet t’i lante mëkatet e Yllit.
Pra, ktheni kokën nga xhami, hapni këngën tuaj të preferuar dhe le ta shijojmë shiun. Tani ju mund të dilni të vallëzoni rrugëve si zogj të dashuruar, por për ndonjë të ftohur mbajeni vetë përgjegjësinë.
Kemi harruar ndonjë tjetër? Shihemi së shpejti me këngët për diellin. 🙂
Copyright Anabel.al